Avokati: Xhavit Haliti ka imunitet funksional, nuk mund të akuzohet për vepër penale

Avokati: Xhavit Haliti ka imunitet funksional, nuk mund të akuzohet për vepër penale

Kujtim Kërveshi, avokati i nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Halitit, ka thënë se klienti i tij nuk mund të akuzohet sepse ka imunitet funksional.

Në një prononcim për Gazetën Insajderi, Kërveshi ka thënë se lidhur me rastin e Halitit Prokuroria e Shtetit ka ndërhyrë në institute ligjore.

“Edhe po të kishte vepër penale për të mbrojturin tim, konsideroj se Prokuroria e Shtetit ka ndërhyre në institute ligjore të njohura edhe pse do të duhet të kishte parasysh kufizimin e autoritetit të saj ndaj imunitetit funksional duke qenë së bëhet fjalë për  një situate gjatë së cilës deputetet e Kuvendit të Republikës së Kosovës kanë qenë duke ushtruar detyrë zyrtare”, ka thënë Kërveshi për Insajderin.

Përpos tij, me aktakuzë është ngarkuar edhe deputeti nga radhët e partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Gani Dreshaj, i cili pretendohet se në të njëjtën ditë ka kërcënuar deputetin Gashi.

Në maj të vitit 2018, Xhavit Haliti nënkryetari i Kuvendit të Kosovës kishte thënë se kishte rrëshqitur në dyshemenë e sallës së Kuvendit përderisa e kishte goditur ‘jo qëllimshëm’ deputetin e LDK-së, Arben Gashi me bërryl.

Madje në një prononcim ai kishte akuzuar mediat që po gënjejnë – në raportimin se pati një përplasje edhe fizike mes dyshes. Haliti kishte thënë se përpos debatit që kishin pasur ditë më parë nuk kishte diçka tjetër.

“Kurgjo vallahin, asnjë përplasje s’kemi pas. Po rreni ju kapak. Jo vallahin veç kam rrshit. As s’kemi kurgjo, dje kemi debatu. Kom rrshit edhe e kom prek pak”, kishte deklaruar Haliti për media.

Por, pas një viti për këtë incident siç e quan Haliti të paqëllimshëm, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj Xhavit Halitit e Gani Dreshajt, i cili pretendohet se në të njëjtën ditë ka kërcënuar deputetin Gashi./Insajderi.com