Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka thënë se nuk pret mrekulli nga qeveria aktuale, por deri tani nuk ka parë asnjë sinjal serioz për ndonjë reformë të mundshme në sektorin privat, transmeton Insajderi.
Azemi ka treguar se në takimin me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, kjo e fundit iu ka thënë se çdo cent që përfitojnë mësimdhënësit, do ta përfitojnë edhe punëtorët teknikë të shkollave.
“Kemi bërë kërkesë që takohemi me kryeministrin, ministrin e Financave dhe ministren Arbërie Nagavcit. Jemi takuar me Nagavcin, kemi biseduar për punëtorët teknik që të marrin shtesë prej 100 euro sikur mësimdhënësit. Kemi marrë obligim që javën tjetër t’i drejtohemi kryeministrit që kjo shtesë të realizohet. Çdo cent që i ngritur në mësimdhënësit, do të përfitojnë edhe punëtorët e kompanive private që punojnë në këto institucione. Nuk pres nga kjo qeveri mrekullia, pasi problemën janë shumë të mëdha, por në një formë nuk po shoh sinjale serioze në ndonjë reformë, uroj të jem gabim”, shtoi Azemi në ‘KTV’.
Ai tutje tha se që nga paslufta, nuk është bërë asnjë lëvizje e vetme për të drejtat e punëtorëve të sektorit privat në Kosovë, derisa ka shtuar se aktualisht kërkesat kryesore të punëtorëve në këtë sektor janë rritja e pagës minimale dhe funksionalizimi i kontratës kolektive, transmeton Insajderi.
“Përpos pagës minimale ne na ka sanksionuar edhe mos-nënshkrimi i marrëveshjes kolektive në bazë të së cilës, shumë punëtorët humbin shumë të drejta të tyre, hyjnë në kundërshtime me pronarë të kompanive dhe shpeshherë ata dalin fitues pasi tash për tash ajo nuk është funksionale”, ka thënë Azemi në ‘KTV’, duke folur për gjendjen e sektorit privat në prag të 1 majit-Ditës së Punëtorëve.
Ai ka folur edhe për inspektoratin e punës duke thënë se është një dorë e zgjatur e njerëzve të qeverive të Kosovës dhe se punon për interesa të ngushta të njerëzve të caktuar në pushtet.
“Inspektorati i Punës ka nevojë për mbikëqyrje pasi ata nuk po duan ose nuk po munden ta mbikëqyrin zbatueshmërinë e ligjit. E kemi thënë, ata më tepër punojnë për çështje individuale grupore e politike sesa që punojnë për të drejtat e punëtorëve. Inspektorati po i favorizon në përgjithësi kompanie dhe në moment kur vjen një paralelizëm. Inspektorët e punës mund të marrin nga kompanitë diçka dhe nga punëtori nuk mund të marrin asgjë. Inspektorati është dorë e zgjatur e njerëzve të qeverive të Kosovës”, ka thënë Azemi.
Ai ka përmendur një rast të para 2-3 viteve, kur një inspektor i punës ishte zënë me para në xhep të cilat i kishte marrë nga një kompani për të mos e raportuar për shkelje, dhe i cili nuk kishte marrë dënimin e merituar nga gjykata.
“Policia e krimeve ekonomike e zë inspektorin me paratë e marra nga kompanitë në xhep dhe gjyqi e dënon me 5 muaj e 29 dirë dhe jo më 6 muaj që të mos ia humb vendin e punës. Kjo ka ndodhur para 2-3 vitesh. Ky inspektor QË 3-4 vite ka qëndruar në shtëpi dhe ka dalë i pafajshëm dhe të gjitha pagat inspektorati i punës është i obliguar që t’ia kthej”, ka thënë Azemi. /Insajderi.com