Bab Club sfidon sërish shtetin – nuk e ndal aktivitetin

I ndodhur vetëm disa dhjetëra metra larg stacionit kryesor të Policisë së Kosovës në kryeqytet, lokali Bab Club nuk ka ndalur aktivitetin edhe pse ishte njëri nga objektet e sekuestruara nga autoritetet të premten në aksionin e madh për lirimin e pronave të uzurpuara.

Bab Club sfidon sërish shtetin – nuk e ndal aktivitetin

Bab Club, lokali i natës që për shumë vite kryen aktivitetin biznesor në pronë të uzurpuar, ka shpërfillur vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës për sekuestrimin e pronës së uzurpuar.

Lokali që ndodhet vetëm dhjetëra metra larg stacionit policor në Prishtinë, ishte të premten cak i një aksioni policor të cilët sekuestruan atë dhe prona të tjera që kanë qenë të uzurpuara që nga përfundimi i luftës.

Por, disa orë pas këtij operacioni policor, jeta e natës në Bab Club ka vazhduar zakonshëm dhe e papenguar nga autoritetet.

Në fakt, menjëherë pas aksionit policor, menaxheri i lokalit, Besim Gashi, njoftoi klientët e tij se të premten do të ketë ndejë në këtë vend ashtu siç ndodh zakonisht.

Insajderi ka qëndruar për disa orë të premten për të parë nëse paralajmërimi i Gashit do të gjejë gatishmërinë e autoriteteve në vend për të zbatuar urdhrin e prokurorit.

Por, që nga ora 10 kur ka filluar ardhja e klientëve të parë e deri në orët e vona, gjithçka ka shkuar sipas zotimit të menaxherit Gashi.

Baboo Tarabuka kujdesej për argëtimin e shumë të rinjve të cilëve nuk u pengonte fakti që lokali tashmë me vendim të prokurorisë është sekuestruar.

Bab Club është pronë e Rrustem Rukollit, i cili një kohë ka qenë edhe koordinator i kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, i cili është në burg,

Shteti ka kërkuar disa herë nga Rukolli që të lëshojë këtë pronë meqë është privatizuar nga një person tjetër, por deri më tani një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Të premten gjatë paradites me kërkesë të Prokurorisë së Shtetit, Gjykata Themelore e Prishtinës, Policia e Kosovës ndërmori aksionin për lirimin e një sipërfaqe të madhe toke, ndërtesa si dhe pesë lokale afariste në pjesë të ndryshme të Prishtinës, përfshirë qendrën e qytetit. /Insajderi.com