Baba Mumin Lama uron myslimanët për festën e Sulltan Nevruzit

Baba Mumin Lama uron myslimanët për festën e Sulltan Nevruzit

Baba Mumin Lama nga Komuniteti Bektashian, Gjyshata e Kosovës – Teqeja në Gjakovë ka uruar besimtarë myslimanë, gjegjësisht anëtarët bektashianë për 21 marsin-festën e Sulltan Nevruzit.

Kjo është letra e urimit:

Të nderuar qytetarë të Kosovës

Të dashur besimtarë myslimanë, dashamirë e anëtarë bektashianë

Gëzuar Sulltan Nevruzi!

Është kremte vjetore që na e kujton ciklin jetësor. Natyra jeton, vdes dhe rilindet çdo pranverë. Njëjtë është për njeriun; lindemi, vdesim dhe ngjallemi në amshim.

Njëzetenjë marsi është natë e madhe për besimin tonë.

Preferohet të përgatiten ëmbëlsira e të shërbehen njerëzit qe besojnë e urojnë. Një natë që është mirë të shpenzohet në adhurim të Zotit duke kërkuar mirësi e mbarësi, për vetveten, për familjen, farefisin, miqtë e kombin në tërësi. I lutem Zotit fuqiplotë që t’iu përgjigjet lutjeve tuaja!

Njëzetedy marsi shënon ditëlindjen e Imam Aliut.

Të parit nga dymbëdhjetë imamët e drejtë. Profeti Muhamed për të tha: “Unë jam qyteti i diturisë e Aliu është porta e atij qyteti”. Imam Aliu është e vetmja krijesë e Zotit që u nderua me faktin se u lind brenda Qabesë së shenjtë. Le të jetë kjo një kremte e paqes dhe e lutjes. Një festë e veprave të mira. Ditë të adhurimit ndaj Zotit me lutje të sinqerta për njerëzimin mbarë, për popullin tonë. T’i kërkojmë mirësi Zotit fuqiplotë për të gjithë, për natyrën, për njerëzit, për shqiptarët, për Kosovën. T’i kërkojmë Krijuesit fat e mbarësi për njerëzit tanë, për familjet tona, për besimtarët.

20 mars 2018

Baba Mumin Lama

Komuniteti Bektashian

Gjyshata e Kosovës

Teqeja në Gjakovë