Policia vendosi sot në mbrëmje që të deportojë nga vendi 6 shtetasit rus dhe 5 serbë pasi ata kaluan kufirin ilegalisht.
Ata nuk u falën dhe u dënuan edhe me gjobë monetare në vlerë prej 250 eurove. U fal vetëm e mitura 15 vjeçare që ishte me shtetësi ruse.
E kjo 15 vjeçare është një nga mbesat e Radisav Peroviqit, zyrtar për komunitete në Komunën e Podujevës, banor i fshatit Metregovc të kësaj komune, raporton Insajderi.
Peroviq ka thënë për Klan Kosovën se grupi i serbëve dhe rusëve që hynë ilegalisht në Kosovë nuk kanë pasur ndonjë qëllim të keq dhe se ata kanë pasur qëllim të vizitojnë familjen e tij në këtë fshat.
Madje tre nga 11 të arrestuarit janë fëmijët e Peroviqit që është banor serb i këtij fshati.
“Një djalë i imi jeton dhe punon në Rusi dhe disa shokë i kanë ardhur nga Rusia për të shikuar sesi jetojnë këtu”, ka thënë Peroviq.
Peropviq thotë se pos dy shtetasve rus që ishin miqtë e djalit të tij të gjithë të arrestuarit e tjerë i ka familjarë të ngushtë.
Ai shtoi se disa nga nipërit dhe mbesat kanë lindur në Rusi dhe për këtë arsye ata kanë shtetësinë e këtij vendi.
E arrestimi i tyre sipas Peroviqit ka të bëjë për faktin se në fshatin kufitar me Serbinë nuk ka ndonjë vendkalim zyrtar. /Insajderi.com