Bahtiri: Do ta kërkojmë shfuqizimin e vendimit për ndarjen e Mitrovicës

Bahtiri: Do ta kërkojmë shfuqizimin e vendimit për ndarjen e Mitrovicës

Në Kullën e Isa Boletinit, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka bërë të ditur se së shpejti do të mbajnë një mbledhje të Kuvendit Komunal, për të kërkuar nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës që të shfuqizohet vendimi për ndarjen e Mitrovicës dhe që Mitrovica të jetë një.

Bahtiri u ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve të, siç i ka quajtur ai, të kriminelëve dhe ekstremistëve.

“Ne sot jemi në një situatë jo aq të volitshme, për arsye se i kemi disa ngjarje që po na preokupojnë, por megjithatë pas këtij urimi të 28 Nëntorit kisha me i lut të gjithë qytetarët kudo që janë, po edhe të tjerëve të cilët banojnë në këto anë të pjesës së veriut që të jenë të qetë dhe të mos bien në provokimet e ekstremistëve dhe kriminelëve. Por, të jenë të qetë sepse na duhet stabiliteti dhe na duhet qetësia absolute për arsye se shteti i Kosovës do të funksionoj në çdo pjesë të territorit të Kosovës dhe kjo na nevojitet shumë që të kemi një stabilitet dhe një mirëqenie për të gjithë pavarësisht cilit nacionalitet. Unë dëshiroja që para juve të prezantoja se ne së shpejti do të mbajmë një mbledhje të Kuvendit Komunal duke iu drejtuar Kuvendit të Republikës së Kosovës, Qeverisë së Republikës së Kosovës që vendimin e marrë për ndarjen e Mitrovicës të shfuqizohet dhe Mitrovica të jetë një”, ka thënë Bahtiri.