Bahtiri e pranon humbjen, telefonon Bedri Hamzën

Bahtiri e pranon humbjen, telefonon Bedri Hamzën

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Mitrovicës, Agim Bahtiri, e ka pranuar humbjen dhe e ka telefonuar fituesin e zgjedhjeve lokale në këtë qytet, Bedri Hamza – duke iu uruar fitoren atij.

Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës i fitoi zgjedhjet në Mitrovicë, pa balotazh – mori 53.86 për qind të votave, ndërsa Bahtiri 34,40 për qind.

“Falënderoj qytetarët që për dy herë radhazi më kanë dhënë besimin mua për të udhëhequr Mitrovicën. Gjithashtu, falënderoj shumë të gjithë qytetarët që edhe kësaj radhe besuan në mua duke më votuar”, ka thënë Bahtiri.

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza

Ai tregoi se i ka kërkuar fituesit të zgjedhjeve, Bedri Hamzës – të mos i ndërpret projektet e nisura.

“Në këtë bisedë të shkurtër, e sigurova që të gjitha punët do të jenë të përgatitura për t’ia përcjellë kur të vjen procesi i pranim-dorëzimit dhe kërkova që projektet e filluara mos të ndërpriten”, ka shkruar Bahtiri në Facebook.

Kryetari i Mitrovicës për dy mandate vlerësoi procesin zgjedhor në përgjithësi.

“Në zgjedhjet e djeshme për kryetar komune, edhe njëherë treguam se zgjedhjet janë të lira dhe demokratike e me një proces pa asnjë problem”. /Shqip.com