Bahtiri: Një grua e PDK-së është zënë me dy fletëvotime të vulosura

Bahtiri: Një grua e PDK-së është zënë me dy fletëvotime të vulosura

Kandidati i AKR-së për kryetar të Mitrovicës, Agim Bahtiri, përmes një reagimi në Facebook ka treguar se në shkollën “Ismail Qemali” është zënë një grua me dy fletëvotime të vulosura, ku njëra ishte për PDK-në dhe tjetra e zbrazët.

“Komisionerët tonë në klasën e tretë në shkollën ‘Ismail Qemali’ në Mitrovicë, kanë identifikuar një grua duke dalë nga kabina e votimit me dy fletëvotime të vulosura. Njëra ishte e mbushur për PDK-në, ndërsa tjetra e zbrazët, gjë që vërteton përdorimit e ‘trenit bullgar’ nga Klani Pronto”, ka shkruar Bahtiri.

Bahtiri ka ftuar KQZ-së, policinë dhe prokurorinë që t’i ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore dhe të  mos e lejojnë më tutje manipulimin me vota.

“Kjo i vërteton shqetësimet e mia drejtuar institucioneve të Kosovës dhe ambasadave të huaja, për tentimet e PDK-së që të manipulohen votat e qytetarëve sikurse në vitin 2009”, ka shkruar më tej ai në llogarinë e tij në facebook.

“Njëkohësisht i ftoj qytetarët që të dalin masivisht në votime, duke e shfrytëzuar të drejtën e tyre kushtetuese”, ka përfunduar Bahtiri./Insajderi.com