Kryetari i Mitrovicës nga Lëvizja Vetëvendosje, Agim Bahtiri, është shprehur i bindur se partia prej nga ai vjen do t’i fitojë mbi 65% të votave në komunën që ai qeverisë, njofton Insajderi.
Sipas tij, zgjedhjet e 14 shkurtit do të jenë referendum për Kosovën, që do të rezultojnë me Albin Kurtin kryeministër.
Këto komente Bahtiri i ka bërë pas një takimi mobilizues të mbajtur me aktivistët dhe anëtarët e VV-së në Mitrovicë.
“Nga anëtarët dhe aktivistët kërkova që të angazhohen maksimalisht në rritjen e votës për Lëvizjen Vetëvendosje në Mitrovicë, ku besoj se do të fitojmë me mbi 65%.
Po ashtu kërkova që të mbështeten edhe kandidatët për deputet nga Mitrovica, Armend Muja, Arjeta Fejza dhe Faton Peci, të cilët do të jenë zëri i qytetit tonë në Kuvendin e Kosovës”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook.
Tutje, i pari i Mitrovicës është shprehur se në zgjedhjet e përgjithshme, “populli do t’i jep përkrahje masovike Albin Kurtit, i cili kësaj radhe nuk do të ketë nevojë për koalicion me ata që e tradhëtuan e as me ata që keqqeverisën prej pasluftës, pasi që fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje në nivel vendi do të jetë mbi 50%”./Insajderi.com