Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh anëtar i Komisionit për çështje të sigurisë dhe mbrojtje në Kuvendin e Kosovës, Mefail Bajqinovci, ka thënë se çdo person që e ka keqpërdorur detyrën zyrtare, nuk do të ketë vend në institucione.
Bajqinovci ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së, se ka shumë raport të auditimit të cilat tregojnë për keqmenaxhim nëpër ministri të ndryshme.
“Kemi pasur mosfunksionim total të sistemit. Ne kemi dhënë provimin dhe kemi treguar edhe mandatin e parë që kemi larguar njerëz, ka borde të ndryshme ku çdo natë mediat po raportojnë për keqmenaxhim dhe ata njerëz të cilët kanë keqpërdorur nuk do ta kenë vendin më aty. Qeveria “Kurti II” do të spastrojë në dy forma: përmes Vetingut dhe përmes vendimeve, për të cilat i kanë të drejtë autorizimet, kryeministri dhe ministrat e caktuar. Për shembull, Policia e Kosovës ka pasur disa ndryshme, që janë pritur mirë. Do të ketë prapë aty ndryshime. Njerëz të caktuar që nuk i kanë kaluar do teste e shumë gjëra nuk do ta kenë më vendin aty. Qeveria “Kurti II” prioritet e ka luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka thënë Bajqinovci.
Ai ka thënë se populli i Kosovës kërkon drejtësi dhe se këtë do t’ua ofrojë Qeveria e tanishme./Insajderi.com