Bajqinovci: Pse dikujt i rrezikohet karriera personale, interesin e vendit mos ta nënshtrojnë para atij personal

Bajqinovci: Pse dikujt i rrezikohet karriera personale, interesin e vendit mos ta nënshtrojnë para atij personal

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka thënë se koalicioni mes dy subjekteve politike që kanë marrë besimin e qytetarëve në zgjedhjet e 6 tetorit duhet të bëhet.

Ai ka kundërshtuar disa zëra brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët kanë deklaruar së Vetëvendosja po dëshiron ta nënshtrojë LDK-në, duke thënë se nuk qëndrojnë argumente të tilla.

“Koalicioni i dy partnerëve që kanë marrë besim qytetarë në masën e një shumice të padiskutueshme duhet të bëhet. Argumentet e disa zyrtarëve brenda LDK-së për kinse tendencën e LVV për ta nënshtruar LDK-në, nuk qëndrojnë. Ne vazhdojmë ta konsiderojmë LDK-në partnerin e vetëm të mundshëm me të cilin duam të qeverisim bashkë”, ka thënë Bajqinovci, përmes një statusi në profilin e tij në rrjetin social Facebook.

Me tutje sipas tij, dëshirën për të bërë marrëveshje për koalicion me LDK-në po e tregojnë çdo ditë.

Teksa, ka thënë se marrëveshja nuk duhet të pengohet nga disa individë të cilët frikësohen se u rrezikohet karriera politike personale.

“Ne këtë po e tregojmë për çdo ditë me vullnetin për t’i diskutuar të gjitha mënyrat e mundshme për arritje të marrëveshjes. Kjo marrëveshje duhet të arrihet pa humbur kohë, sepse përtej kritikave të ndërsjella, kemi vullnet të dyanshëm për koalicion i cili nuk duhet të pengohet nga zëra të përveçshëm që tashmë veç haptas dalin kundër marrëveshjes”.

“Pse dikush sheh rrezik për karrierë politike personale, nuk duhet që interesin afatgjatë të vendit, e të vet partisë politike së cilës i përkasin, të ja nënshtrojnë interesit personal. Koalicionin e duan qytetarët, e duan strukturat dhe votuesit e dy partive tona, e duan edhe miqtë e partnerët e Kosovës dhe sot, kontributi drejt realizimit të tij, është akt patriotik e shërbim i pakompensueshëm drejt demokratizimit të jetës politike e kthimit të shtetit në binarë të rendit dhe ligjit”, ka theksuar Bajqinovci.

LDK e VV nuk po mund të pajtohen rreth ndarjes së posteve, të cilat po pengojnë arritjen e marrëveshjes për koalicion qeverisës. /Insajderi.com