Bajram Gecaj për deklaratën e Haradinajt: Nuk ka rrezik nga ai

Bajram Gecaj për deklaratën e Haradinajt: Nuk ka rrezik nga ai

Zëvendësministri dhe këshilltari i kryeministrit Isa Mustafa, Bajram Gecaj, ka komentuar deklaratën e shumëpërforlur të deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, që paralajmëronte eskalim të situatës në rast se vëllai i tij, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ekstradohet në Serbi.

Gecaj ka thënë se deklaratat e Haradinajt nuk duhet të merren seriozisht. Për këtë ka dhënë një arsye.

“Nuk besoj që një deklarim i tillë do të rrezikojë sigurinë nacionale. Por nga ana e Beogradit do të shfrytëzohet për qëllime politike”, ka thënë Gecaj në emisionin “Click” të RTV21.

Deputeti i AAK-së Daut Haradinaj, sapo kishte marrë lajmin se vendimi për  vëllanë e tij, Ramush Haradinaj, ishte shtyrë për 27 prill, dhe shfrytëzoi një paraqitje televizive për të dhënë një kërcënim të pastër, në rast se gjykata franceze vendos ta ekstradojë në Serbi.

“Munden me na fut në luftë, asgjë tjetër. Unë nuk e di për të tjerët, por unë e di për vete se në rast se gabojnë dhe bëjnë kësi veprime, atëherë të bëhen gati për tema më serioze. Nëse e duan Kosovën etnikisht pa serbë, atëherë le të bëjnë hajgare”, kishte thënë Haradinaj për RTV Dukagjini.

Më vonë, pasi deklarata e tij nxiti reagime të ashpra nga Ambasada Amerikane dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë të cilët e kanë konsideruar një deklaratë të tillë si kërcënuese për minoritetin serb, tha se deklarata e tij është keqkuptuar./Insajderi.com