fbpx

Bajrami: I besojmë Pacollit që asnjë votë e AKR-së nuk i shkon PAN-it

Bajrami: I besojmë Pacollit që asnjë votë e AKR-së nuk i shkon PAN-it

Ministrja në detyrë e Tregtisë dhe Industrisë dhe anëtare e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka folur për mundësinë e largimit të AKR-së në krye me Behgjet Pacollin nga koalicioni LAA.

“Nuk mund të paragjykoj se çfarë do të ndodhë, por besojmë deklaratat e Pacollit. Ai është partner i LDK-së dhe deri tani gjithmonë në takimet tona ka thënë se është besnik dhe se asnjë votë e AKR-së nuk shkon për PAN-in”, është shprehur Bajrami.

Ajo, në Info Magazinë të Klan Kosovës, ndër tjerash ka thënë se nuk është në interesin e asnjë partie që vendi të shkojë përsëri në zgjedhjeve, e prandaj edhe “duhet të tentojmë të bëjmë konstituimin e institucioneve”.

Bajrami ka folur edhe për mundësinë e një koalicioni me AAK-në e Ramush Haradinajt.

“Jemi të hapur për biseda edhe me AAK-në, jemi të hapur për biseda për formimin e një Qeverie me një koalicion që nuk ka në përbërje PDK-në”, ka thënë ajo.

Bajrami ka thënë se në rast se PAN-i dështon dhe nuk arrin të formojë Qeverinë është detyrë e presidentit Hashim Thaçi që të dorëzojë mandatin tek partia ose koalicioni që siguron se ka 61 vota për krijimin e Qeverisë.