Bajrami fton deputetët ta votojnë në lexim të dytë projekt-ligjin e buxhetit

Bajrami fton deputetët ta votojnë në lexim të dytë projekt-ligjin e buxhetit

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që në seancën e së martës ta votojnë në lexim të dytë projekt-ligjin për buxhetin e vitit 2021.

Bajrami tha se deputetët treguan përgjegjësi të lartë institucionale përmes votimit në lexim të parë të këtij projekt-ligji, duke shtuar se kanë evituar një krizë buxhetore, njofton Insajderi.

“Në seancën e sotme, Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi në lexim të parë projekt-ligjin e buxhetit 2021. Dëshiroj të falënderoj deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që treguan përgjegjësi të lartë institucionale përmes votimit të këtij projekt-ligji të rëndësishëm duke evituar kështu një krizë të panevojshme buxhetore për vitin që po hyjmë. Ftoj deputetët që në seancën e nesërme ta votojnë edhe në lexim të dytë projekt-ligjin e buxhetit për vitin 2021”, ka shkruar ministrja Bajrami në llogarinë e saj në Facebook.

Tutje, ajo tha se lajm i mirë nga seanca e së hënës është edhe miratimi i dy projekt-ligjeve të tjera.

“Lajmi tjetër i mirë nga seanca e sotme është edhe miratimi i dy projek-ligjeve të rëndësishme, si: Projekt-ligji Nr. 07/L-035 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për likuiditet të urgjencës së infrastrukturës vitale, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, dhe Projekt-ligji Nr. 07/L-036 për Ratifikimin e Kontratës Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Impiantit të Ujërave të Zeza në Gjilan”, ka shkruar ndër të tjera Bajrami./Insajderi.com