Bajrami i reagon Shpend Ahmetit

Bajrami i reagon Shpend Ahmetit

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka dalë me një reagim ndaj deklaratës së Shpend Ahmetit, kryetarit të Komunës së Prishtinës, i cili ka thënë se ministria në fjalë ka një miliardë euro në Bankën Qendrore, njofton Insajderi.

Në reagim të Bajramit thuhet se bilanci bankar përfaqëson Fondin e Republikës se Kosovës dhe mbahet në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.

“Ky bilanc paraqet fondet që janë grumbulluar ndër vite dhe të cilat duhet të sigurojnë likuiditetin e nevojshëm për të financuar aktivitetet e buxhetit të Republikës së Kosovës në vitet në vijim, duke përfshirë edhe pagesat e borxhit ndërkombëtar”.

“Lartësia e bilancit bankar (kufiri) përcaktohet me legjislacionin në fuqi për financat publike (rregull fiskale) dhe gjithashtu në Ligjin Vjetor të Buxhetit. Konfirmojmë që në vazhdimësi, pra çdo vit, është arritur të respektohet plotësisht rregulla fiskale e bilancit bankar, përkatësisht të sigurohet shuma e fondeve nëpërmes inkasimit të të hyrave dhe financimeve nga huazimet sipas obligimit të legjislacionit”, thuhet në njoftim./Insajderi.com