Bajrami-Kurtit: Bëni zgjidhje për hapjen e shkollave

Bajrami-Kurtit: Bëni zgjidhje për hapjen e shkollave

Pasi Qeveria mori vendim për shtyrjen e fillimit të vitit të ri shkollor deri më 13 shtator, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti që “të bëjë zgjidhje për hapjen e shkollave”.

Në një postim në Facebook, ajo ka shkruar se “si në kohë lufte, shkollat janë të mbyllura”.

Kjo nuk është zgjidhje, ka thënë Bajrami, duke shtuar se “sot do të duhej të uronim fillimin e vitit të ri shkollor”.

“Sikurse po ndodh në vendet e rajonit. Kur erdhi pandemia, më 11 mars 2020 u mbyllën shkollat por pas një jave filloi mësimi online”, ka shkruar ajo.

“Kryeministër, duhet të bëni zgjidhje, e di që jeni i zënë edhe me punë tjera, edhe më angazhime e punësime partiake, edhe me fushatën elektorale, por po kërkoj nga ju dhe secili anëtar i kabinetit qeveritar të fokusoheni në gjetjen e një zgjidhje për hapjen e shkollave”.

Ajo më tej është shprehur se nuk ka parë strategji të Ministrisë së Arsimit për hapjen e shkollave.

“Kryeministër bëni zgjidhje. Ka kohë për fushatë elektorale. Ka kohë për sulme politike. Qytetarët ju votuan për të bërë zgjidhje dhe fjala është e Juaja”.

Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja kundër COVID-19, të cilat kanë hyrë në fuqi më 30 gusht dhe vlejnë deri më 13 shtator. Deri në këtë datë, është shtyrë edhe fillimi i procesit mësimor. Këto masa janë marrë në përpjekje për të vënë nën kontroll situatën me COVID-19 në vend./Insajderi.com