Ish-shefja e Grupit Parlamentar të Nismës për Kosovën, Valdete Bajrami, e ka konfirmuar për Gazetën Insajderi se deputetët e tyre do të funksionojnë si grup i vetëm parlamentar.
“Nisma për Kosovën në këtë legjislatur do të ketë numër më të madh të deputetëve sesa në legjislaturën e kaluar dhe kjo tregon qartë se Nisma ka pasur rritje për 40%”, ka thënë Bajrami për Insajderin.
Ajo ka thënë se këtë gjë e kishte paralajmëruar edhe vetë lideri i Nismës, Fatmir Limaj, gjatë fushatës elektorale.
“Kryetari Limaj qysh gjatë fushatës zgjedhore ka deklaruar se deputetët e Nismës për Kosovën do të funksionojnë si grup parlamentar më vete”, ka shtuar ajo.
Nisma kishte lidhur koalicion parazgjedhor qysh moti me AAK-në e Ramush Haradinajt. Gjithashtu, këto dy parti ishin bërë bashkë edhe me PDK-në një koalicionin parazgjedhor për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u mbajtën më 11 qershor.
I njohur si koalicioni PAN, i fitoi zgjedhjet, duke u ndjekur nga Lëvizja Vetëvendosje në vendin e dytë dhe koalicioni LDK-AKR-Alternativa-Lëvizja për Drejtësi, e cila doli në vendin e tretë./Insajderi.com