Bajrami: Nuk do të ketë izolim të dytë, mbyllja parë nuk prodhoi rezultat

Bajrami: Nuk do të ketë izolim të dytë, mbyllja parë nuk prodhoi rezultat

Ministrja e Financave dhe Transfereve, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se mbyllja totale si masë mbrojtëse nga Coronavirusi, nuk ishte një zgjidhje që prodhoi ndonjë rezultat, njofton Insajderi.

Një valë e dytë e këtij virusi mund të godas edhe Kosovën, por siç thotë Bajrami, izolimi nuk preferohet si masë.

“Mbyllja ka rezultuar që nuk prodhon ndonjë rezultat. Ne mund ta shmangim me anë të masave izolative mund ta shmangim virusin për një kohë të gjatë, por ditën kur po hapemi, kur po i heqim masat dhe po relaksohemi, po kthehemi pikërisht në ditën kur jemi mbyllë”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Hykmete Bajrami.

Ministrja e Financave tutje u shpreh se është e vështirë të bëhet parashikimi se sa do të dëmtohet ekonomia, në rast të një karantimi tjetër.

“Kur jemi tek një mbyllje potenciale, shpresoj që të mos ketë nevojë, është e vështirë për të parashikuar edhe mbështetjen sepse ne të hyrat e biznesit i kemi nga bizneset dhe në momentin kur mbyllen ato, atëherë edhe të hyrat e buxhetit bien. Atëherë duhet të shikojmë për burime alternative të financimit dhe mbajtjes gjallë të këtyre bizneseve, por po shpresojmë që gradualisht jemi duke iu rikthyer normalitetit dhe nuk kemi nevojë të kthehemi atje ku kemi qenë para disa muajve”, deklaroi më tej Bajrami. /Insajderi.com