Bajrami thotë se KSHC favorizon universitetet private, reagon Nagavci

Bajrami thotë se KSHC favorizon universitetet private, reagon Nagavci

Një përplasje midis ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci dhe paraardhëses së saj në këtë dikaster, Hykmete Bajrami, në seancën e sotme plenare, derisa diskutonin për vonesën në hapjen e konkursit për pranimin e studentëve në universitetet publike.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se kjo ka ndodhur për shkak se Këshilli Shterëror i Cilësisë s’ka qenë funksional për të akredituar programet.

“Kur e kam pranuar detyrën KSHC-në e kam gjetur jofunksional. I kam filluar të gjitha procedurat me kohë dhe me rregull që ky këshill të bëhet funksional. Kur i kemi sjellë për miratim në Kuvend, ju kam kërkuar vëmendjen, sidomos deputetëve të opozitës, që të jeni të përgjegjshëm sepse janë 240 programe që po presin akreditim nga KSHC. Por s’e keni pasë as dëshirën dhe as vullnetin për të votuar këtë këshill. Ai është këshill i pavarur dhe detyra ime si ministre ka përfunduar në momentin që është ratifikuar në Kuvend. Do të kërkoj përgjegjësi nga ky këshill, por ai i përgjigjet Kuvendit”, tha Nagavci në foltoren e Kuvendit.

Ndërsa, ish-ministrja e Arsimit dhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se KSHC-ja duke mos i akredituar këto programe po i favorizon universitetet private.

“Për herë të parë pas 21 viteve, në korrik nuk ka afat të pranimit të sudenteve në universitet publike në vendin tonë Ku mbeti publikja, barazia dhe lufta kundër varfërisë?Anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë me procedurë urgjente i pat miratuar shumica parlamentare më 17 qershor, pikërisht një muaj më parë. Kryetari i Komisionit për Arsim, Ardian Gola, në arsyetimin e tij, për këtë veprim të shpejtë të Kuvendit, pat deklaruar se mungesa e kuorumit në KSHC e paralizon sistemin e arsimit të lartë. Sot e pyes Ministren e Arsimit dhe kryetarin e Komisionit për Arsim, pse edhe pas 1 muaji, KSHC nuk ka marrë asnjë vendim. Ajo që kam lexuar në media është fakti se janë bllokuar 94 programe akademike në Universitetin e Prishtinë dhe gati po aq programe në universitetet tjera publike”.

“Kjo zvarritje e qëllimshme e vendimmarrjes në KSHC i ka paralizuar universitetet publike, të cilat nuk po mund të regjistrojnë studentë, ndërsa kolegjet private po prezantojnë në rrjetet e tyre sociale regjistrimet e studentëve. KSHC qëllimisht e ka bllokuar vendimmarrjen në këtë institucion vital të shtetit, për t’i favorizuar kolegjet private në kurriz të universiteteve publike”, tha Bajrami. /Insajderi.com