Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Albulena Balaj-Halimaj, ka folur pas takimit që ka zhvilluar të mërkurën në Shkup me zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, njofton Insajderi.
Në këtë takim, Balaj-Halimaj tha se kanë biseduar për organizimin e mbledhjes së përbashkët ndërmjet dy qeverive, e cila do të mbahet më 25 janar të vitit të ardhshëm.
Në një postim në Facebook, ajo ka bërë të ditur se janë dakorduar për një numër të konsiderueshëm të marrëveshjeve që do të nënshkruhen në mbledhje, nga të cilat tha se do të përfitojnë qytetarët e dy vendeve dhe bizneset.
“Po punojmë shumë që më 25 janar të nënshkruhet në mënyrë solemne marrëveshja për një pikë të përbashkët kufitare. Po ashtu, do të ketë një marrëveshje për studim fizibilitetit të rrugës Prizren-Tetovë, si dhe marrëveshje tjera në fushën e arsimit, kulturës, rinisë dhe turizmit”.
“Jam jashtëzakonisht e kënaqur që në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut ekziston vullnet shumë i madh për të bashkëpunuar me Kosovën si dy vende fqinje”, ka shkruar Balaj-Halimaj në Facebook./Insajderi.com