Balaj-Halimaj: S’ka Asociacion pa njohje nga Serbia

Balaj-Halimaj: S’ka Asociacion pa njohje nga Serbia

Zëvendëskryeministrja Albulena Balaj-Halimaj, ka thënë se asnjë marrëveshje në Bruksel nuk do të nënshkruhet pa njohje reciproke, njofton Insajderi.

Balaj-Halimaj tha se formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është obligim kushtetues, do të zbatohet atëherë kur Serbia do të njohë Kosovën.

“Ne e kemi thënë qëndrimin tonë. Ne jemi të qartë. Ne e kemi obligim kushtetues formimin e Asociacionit, por ata po kërkojnë që ne të fillojmë të zbatojmë Asociacionin ndërkohë që ne e kemi obligim kushtetues dhe do të zotohemi që kjo do të ndodhë, por ne po kërkojmë që ky Asociacion të fillojë të zbatohet atëherë kur Serbia do ta njohë Kosovën”.

“Pra do të jenë tema të përbashkëta asgjë në Bruksel nuk do të nënshkruhet veç e veç, por të gjitha do të nënshkruhen në një ku aty do të jetë njohja”, ka thënë ajo për EO.

Sipas Balajt, mospajtimet me partnerët aktual të koalicionit, janë normale dhe që nuk e rrezikojnë qëndrueshmërinë e Qeverisë.

“Po mirë deri më tash nuk është se kemi pasur telashe mes vete. Ka mospajtime të cilat janë normales sipas meje dhe sipas nesh në tema të ndryshme të cilat nuk mund të pajtohemi shpesh herë me shumë njerëz që i kemi rreth vetës por edhe me partnerët e koalicionit. Pra deri më tash nuk ka telashe të cilat mund ta rrezikojnë koalicionin”, ka thënë zëvendëskryeministrja. /Insajderi.com