Përfaqësuesja e Inionit Socialdemokrat, Duda Balje, thotë se kur shumica i kanë dhënë mundësinë Albin Kurtit që të drejtojë qeverinë “pse unë jo?”, transmeton Insajderi.
Kështu u shpreh ajo derisa deklaroi se Vjosa Osmanin e respekton dhe se mendon që është njëra nga personat që e ka merituar ta ketë postin e presidentes së vendit.
Siç ka deklaruar Balje për KK, shteti i Kosovës ka dhënë shenjë se është në anën e komuniteteve dhe se kjo për të është gjë shumë pozitive.
Balje thotë se nuk kanë pasur fuqi që të luftojnë kundër tentimit të listës serbe për uzurpimin e vendeve të garantuara me kushtetutë për boshnjakët.
“Ne kemi parë se si kanë manipuluar dhe bërë presion në komunitetin serb për ta votuar Adriana Hoxhiq, dhe me këtë kanë bërë krim dhe mendoj se do të paguajnë. Por, ka fituar drejtësia, shteti ka dhënë një shenjë shumë të mirë se është në anën e komuniteteve dhe kjo për neve është shumë pozitive”, ka thënë ajo.
“Nuk kemi humbur në zgjedhje, por kemi humbur veç prej votës së serbëve. Me anulimin e votave në disa komuna, ne kemi fituar, d.m.th me vota jemi më shumë se Adriana Hoxhiq dhe mendoj se kemi fituar vend në Kuvendin e Kosovës”.
“Drejtësia në Kosovë është shumë e fortë, respektimi i kushtetutës është shumë i fortë dhe kjo është vërtetuar. Kemi ndërprerë një prej aktiviteteve shumë të rrezikshme për Kosovën”.
“Unë kurrë në jetë nuk kam punuar për serbët dhe as nuk kam pritur që ata të votojnë për mua, se unë kam punuar për shtetin e Kosovës dhe për boshnjakët në Kosovë, ndërsa Adriana Hoxhiq ka pasur më shumë se 90% të votave nga ta. Unë s’mund ta refuzoj votën, por kam aplikuar për vendin e rezervuar dhe shumica e votave duhet të jetë prej komunitetit të cilit i takoj dhe për të cilit kam punuar dhe do të punoj”, ka përfunduar Balje. /Insajderi.com