Balje paralajmëron takim me ministren e Arsimit për çështjen e mbulesës në shkolla

Balje paralajmëron takim me ministren e Arsimit për çështjen e mbulesës në shkolla

Deputetja e Kuvendit të Kosovës e cila është edhe Kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje, ka thënë se janë të vendosur që t’iu lejojnë shkollimin të gjitha vajzave me mbulesë, transmeton Insajderi.

Këtë deklaratë Balje e dha pas rastit të shkarkimit nga puna të Drejtorit të Arsimit në Komunën e Mitrovicës, pasi i njëjti kishte thënë se nuk lejon punësimin e grave me shamia si mësimdhënëse.

Balje bëri të ditur se sot kanë riaktualizuar këtë temë në komision dhe do të kenë takim me ministren e Arsimit për të bërë ndryshimin e udhëzimit administrativ për çështjen e mbulesës në shkolla.

“Unë jam kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe nga pozita ime bashkë me 10 deputetë e kemi hap këtë teme dhe kemi hapur iniciativë që vajzat me mbulesa të hyjnë në shkollë. Disa prej shkollave në nivelin lokal drejtorët kanë lejuar shkollimin për vajzat me mbulesë ndërsa disa të tjerë jo”, ka thënë ajo në ‘Info Magazinë’ të Klan Kosovës.

“Secila vajzë ka të drejtë të shkollohet edhe ato me mbulesë. Ne jemi shumë të vendosur për këtë gjë edhe opozita edhe pozita jemi në një vijë dhe besoj që në këtë mandat do t’i shkojmë deri në fund kësaj çështje. Do të kërkojmë të ndryshojë udhëzimi administrativ dhe do të kemi edhe takim me ministren e Arsimit”, tha Balje. /Insajderi.com