Ballafaqohen ekspertët financiarë në rigjykimin ndaj ish-zyrtarit të PTK-së për përvetësim të mbi 70 mijë eurove

Ballafaqohen ekspertët financiarë në rigjykimin ndaj ish-zyrtarit të PTK-së për përvetësim të mbi 70 mijë eurove

 Në rigjykimin që po zhvillohet ndaj ish-zyrtarit të Postës së Kosovës, Enver Ajeti, i cili po akuzohet se kishte përvetësuar mbi 70 mijë euro, janë ballafaquar ekspertët financiarë, të cilët kishin përpiluar ekspertizat në këtë rast.

Ajeti po akuzohet se nuk i kishte dorëzuar pazaret ditore në bankë dhe me këtë rast nga arka kishte përvetësuar shumën prej 71 mijë e 744 euro, ku për këtë ishte dënuar me 1 vit burgim efektiv dhe 1.000 euro gjobë, mirëpo Apeli e kishte kthyer lëndën në rigjykim, “Betimi për Drejtësi”.

Ballafaqimi i ekspertëve ishte kërkuar nga prokurori Shkëlzen Ibrahimi, në seancën e 14 nëntorit 2019, me arsyetimin se sipas tij, kishte kontradikta mes katër ekspertizave të realizuara në këtë rast dhe sipas tij, ishte e nevojshme që të dihet dëmi i saktë.

Mirëpo, ekspertët Riza Blakaj, Xhevdet Krasniqi, Ali Galica dhe Remzi Smajli kanë mbetur pranë ekspertizave të përpiluara.

Eksperti Remzi Smajli, ka thënë se mbetet në tërësi pranë ekspertizës së përpiluar më 25 gusht 2019, mirëpo sipas tij, për përpilimin e kësaj ekspertize i kishte pasur të gjitha dokumentet nga ana e PTK-së, përpos ngarkesave të detajuara për pikën postare në Podujevë dhe për të akuzuarin Ajeti.

“Kjo pjesë është kryesorja, neve nuk na janë afruar këto, nuk mundemi me ngarku dikë pa i pasur këto”, ka thënë eksperti Smajli.

Ndërsa, eksperti Riza Blakaj pos që ka mbetur pranë ekspertizës së punuar nga grupi i ekspertëve me 15 gusht 2016, ka thënë se sa i përket ngarkesës së të akuzuarit, kishte pasur mungesë të produkteve të bankës, në vlerë prej 35.373.77 euro.

Në lidhje me pjesën tjetër të ngarkesës në shumë prej 36,371.08 euro, ai tha se kjo ngarkesë i përket pazareve ditore të raportuara në formularë përkatës në PTK, por të cilat nuk ishin depozituar në llogarinë përkatëse bankare.

Sipas tij, të dhënat që ishin theksuar në ekspertizën e tij ishin të mjaftueshme për ndriçimin e rastit konkret.

“Krejt me qëllim që të vërtetohet gjendja faktike dhe mbi këto të dhëna grupi i ekspertëve ka ardhur në përfundim se pazaret ditore të cilat janë dorëzuar nga persona tjerë të zyrës postare të realizuara pas datës së vërtetimit të mungesës, janë dorëzuar duke u mbështetur në raportet zyrtare të deklaruara mbi qarkullimin ditor të periudhës 26 prill deri me 1 maj 2013”, ka thënë Blakaj.

Sipas tij, nga pazaret ditore të realizuara me 2 maji 2013, ishin mbuluar pazaret ditore të periudhës 26 prill e deri me 1 maj 2013 dhe se në këtë mënyrë kishte vazhduar procedura e dorëzimit të pazareve ditore me antidatim deri me 28 maj 2013.

Për vlerën prej 36,371.08 euro, e cila kishte munguar në arkë, sipas ekspertit Blakaj pazari ditor nuk ishte dorëzuar nga i akuzuari.

“Te konstatimi i shumës 36,371.08, prova materiale për ekzistimin e kësaj shume te pazarit ditor janë raportet e dorëzuara në kontabilitet por të cilat nuk kanë qenë të mbuluara me pagesat përkatëse sepse pazari ditor i atyre ditëve nuk është dorëzuar nga i akuzuari, kështu theksojnë dokumentet në dëftesat e pagesave të bëra pas datës 3 maj 2013, të cilat janë bërë mbi bazën e raporteve të pazareve të datës 26 prill deri me 3 maj 2013”, ka thënë ai.

Pranë ekspertizës dhe plotësimit të ekspertizës financiare ka mbetur edhe eksperti financiar Xhevdet Krasniqi, i cili tha se brenda PTK-së ishte dashur të hapet procedurë dhe të konstatohet gjendja faktike për shkak të mbulimit të pazareve, sepse sipas tij, nuk mund të thuhet se kishin mungesë kur kishte dëshmi të deponimeve të argumentuara me prova valide financiare.

Në lidhje me kontrollorin e ri, Faik Mahmuti, i cili e kishte marrë pozitën e të akuzuarit Ajeti, eksperti tha se ai nuk ishte dashur të bëjë mbulesën e periudhës 26 prill e deri me 3 maj 2013, dhe se ai ishte dashur të përgjigjet për mungesës e mjeteve të tij me sqarimit të situatës.

Në në seancën e së premtes është dëgjuar edhe përpiluesja e raportit financiar, Saranda Ademi, e cila ishte kërkuar të dëgjohet nga prokurori Ibrahimi në seancën e 14 nëntorit 2019, me qëllim që të prezantojë se si kishin ardhur deri te konstatimi i dëmit.

Ajo tha se mungesa e vlerës së dëmit prej 71,744.85 euro kishte ardhur pas konstatimit të gjendjes që ishte bërë në kuadër të PTK-së, ku stafi operativ kishte konstatuar dhe pas përfundimit të mungesës ia kishin dorëzuar procesverbalin asaj e cila kishte vazhduar me përpilimin e raportit final.

“Dallimi mes procesverbalit të kontrollit operativ me atë të gjendjes financiare të Enver Ajetit ka pasur dallime, nuk është prezantuar gjendja materiale dhe reale e zyrës postare dhe si rezultat i kësaj ka rezultuar me mungesën financiare në vlerë prej 71,744.85 euro”, ka thënë ajo.

Ajo tha se nuk ishte deklaruar gjendja reale dhe nuk ishin prezantuar ngarkesat reale të produkteve si dhe kishin munguar deponimet nga realizimet ditore prej 26 prillit e deri me 1 maj 2013.

Ajo tha se pazaret e padeponuara ishin në vlerë prej 36,371.08 euro, të cilat kishin qenë qarkullime ditore të datave 26 prill deri me 1 maj 2013, por që këto para nuk ishin deponuar në bankë.

Sipas saj, përgjegjës për zyrën postare dhe ngarkesat e produkteve i takonin të akuzuarit Enver Ajeti i cili kishte qenë kontrollori i zyrës postare, ku kishte pas për obligim mbikëqyrjen e stafit në zyre postare, realizimin e ngarkesave të stafit me produkte, shkarkimi i stafit në përfundim të tyre, e që sipas dëshmitares duhet finalizuar me një barazim të gjendjes.

“E dimë se kanë qenë 2-3 ekipe të ekspertëve për këtë çështje, ne kemi ofruar dëshmi sipas kërkesave dhe nevojave të tyre, mungesa e mos deponimeve për 26 prill deri me 1 maj 2013, që kanë qenë në vlerë 36,371.08 euro është bërë pas 2 majit 2013, pas konstatimit të mungesës me qarkullime ditore për 3 maj e tutje”, ka thënë dëshmitarja.

Pasi eksperti Remzi Smajli, kishte deklaruar se gjatë përpilimit të ekspertizës financiare nuk i ishin dorëzuar ngarkesat e detajuara për pikën postare në Podujevë dhe për të akuzuarin Ajeti, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Violeta Namani njoftoi se gjykata do të kërkojë plotësimin e super ekspertizës.

Ajo obligoi përfaqësuesin e palës së dëmtuar, Faton Ejupin që t’ia ofrojë në posedim ekspertit Smajli të gjitha dokumentacionet e kërkuara nga ai.

Seanca e radhës pritet të mbahet me 31 janar 2020, në ora 09:10.

Kjo seancë kryesohet nga gjykatësja Violeta Namani, pasi që gjykatësi Vehbi Kashtanjeva, i cili e kishte gjykuar këtë rast herën e parë, është pensionuar.

Gjykata Themelore në Prishtinë, në maj të viti 2018, e kishte dënuar me një vit burgim efektiv, ish-zyrtarin e Postës së Kosovës, Enver Ajeti, i cili akuzohej për veprën penale “përvetësim në detyrë”.

Në aktgjykimin e shpallur gjykatësi, Vehbi Kashtanjeva, i akuzuari Ajeti ishte dënuar edhe me 1000 euro gjobë, si dhe ishte obliguar që të paguante shpenzimet e procedurës.

Po ashtu, ai detyrohej që në bazë të kërkesës pasurore juridike, Postës së Kosovës t’i kompensonte shumën prej 36.376 eurosh, e që realizmi i këtij kompensimi ishte udhëzuar të zhvillohet në kontest civil.

Mirëpo, sipas Gjykatës së Apelit, aktgjykimi i shkallës përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, duke shtuar se gjykata ka dështuar të vërtetojë se sa ka qenë shuma e dëmit që i akuzuari Ajeti thuhet se e ka përvetësuar.

Sipas Apelit, ekspertizat e bëra nuk përputhen njëra me tjetrën dhe janë kundërthënëse sepse nga tri ekspertiza paraqiten shifra të ndryshme sa i përket mos deponimit të pazareve ditore në bankë, e që për këtë sipas Apelit, është dashur të bëhej një ekspertizë e re nga një institutin i specializuar që të hiqen dilemat se cila realisht kishte qenë shuma e dëmit të shkaktuar.

Gjykata e Apelit e ka obliguar Gjykatën Themelore që të mënjanojë shkeljet esenciale dhe që për rastin të bëj edhe një super ekspertizë e më pas të merret vendimi për çështjen.

Ky proces gjyqësor, zhvillohet sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e cila e akuzon Enver Ajetin se në cilësinë e kontrollorit të degës së Postës së Kosovës në Podujevë, nuk i kishte dorëzuar në bankë për një periudhë kohore pazaret ditore, punë që duhej ta kryente duke qenë se ishte i ngarkuar me menaxhimin e të hyrave apo mjeteve financiare.

Sipas aktakuzës, pretendohet se Ajeti në bankë nuk i ka dorëzuar pazaret ditore, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore dhe me këtë rast nga arka ka përvetësuar shumën prej 71 mijë e 744 euro, të cilën mungesë e ka zbuluar komisioni i kontrollës operative regjionale të Postës së Kosovës si dhe Koordinatorja e Financave të Postës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi