Banka Botërore premton ndihmë për Kosovën në luftën ndaj pandemisë

Banka Botërore premton ndihmë për Kosovën në luftën ndaj pandemisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, pritën të martën në takim drejtoreshën rajonale për Ballkanin Perëndimor të Bankës Botërore, Linda Van Gelder si dhe drejtorin për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, Massimiliano Paolucci.

Në këtë takim u bisedua për prioritetet e Qeverisë Kurti II, me theks te situata aktuale me pandeminë COVID-19.

“Kryeministri Kurti shprehu falënderimin e tij për mbështetjen e deritanishme që Banka Botërore i ka dhënë Kosovës në shumë fusha, e në veçanti me projektin që financon luftën ndaj pandemisë Covid-19”, thuhet në njoftim.

“Në anën tjetër, Van Gelder vlerësoi se shumë prej synimeve të programit qeverisës janë në të njëjtën vijë me ato të Bankës Botërore, andaj edhe mbështetja e BB nuk do të mungojë, sidomos tani kur Kosovës i duhet të rimarrë veten pas pandemisë”, përfundon njoftimi./Insajderi.com