
Disa banorë të Drenasit kanë protestuar sot, e hënë, para objektit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, për të shprehur pakënaqësitë për gjendjen mjedisore në këtë komunë dhe fshatrave përreth fabrikës së “Feronikelit”, e cila ndodhet në Citakovë.
Organizatori i kësaj proteste, Xhavit Drenori tha se është alarmi i fundit për Qeverinë që të veprojë urgjent për ndalimin e ndotjes së ajrit, tokës dhe ujit në Drenas.
Protestuesit në këtë protestë prezantuan edhe disa mbetje të metaleve që shkaktohen nga fabrika Feronikel.
“Në Drenas bartja e maskës është e domosdoshme edhe kur nuk ka pandemi”, “Drenasi është numër 1 me mjedis të kontaminuar”, “Më ka marrë malli me dalë në oborr”, janë disa nga mesazhet në pankartat e vendosura para Ministrisë në Prishtinë./Insajderi.com