Banorët e Karaçevës: Institucioneve u kemi shkruar mijëra herë, asnjëherë nuk janë marrë me ne

Banorët e Karaçevës: Institucioneve u kemi shkruar mijëra herë, asnjëherë nuk janë marrë me ne

Selver Lenjani, i cili përfaqëson banorët e fshatit Karaçevë të Kamenicës dhe që gjithmonë ka qenë i zëshëm për “lënien pas dore” nga institucionet e Kosovës, thotë se këto institucione asnjëherë nuk janë marrë me hallet e banorëve te fshatit Karaçevë, njofton Insajderi.

Ai tregon se ka pasur disa grupe të xhandarëve serbë të cilët kanë patrulluar në territorin e fshatit Karaçevë.

“Nuk është hera e parë hyrja e xhandarëve serbë, e forcave paramilitare, e armatës se rregulltë, e forcave të ndryshme që hyjnë në territorin e fshatit Karaçevë. Nuk është hera e parë. Ky problem është qe nga viti 2001 e deri më sot kur po raportojmë. Kanë hyrë dje në pjesën e Karaçevës atje te ‘Oxygeni’, që kanë patrulluar dhe mendojnë se është pronë e tyre. Dhe në tërësi ka hyrë në tërë fshatin e kanë korrigjuar. Edhe në lagjen, edhe tek ish-kryetari Surdulli edhe në pjesën e Breznicës, nuk është hera e parë”, tregon Lenjani për KP.

Ai tutje ka thënë se janë dërguar kërkesa ndaj udhëheqësve të institucioneve në emër të banorëve të fshatit për t’u dalë në ndihmë, por askush deri më tani nuk është marrë me këtë çështje.

“Karaçeva dhe banorët e brezit kufitar i kanë shkruar mijëra herë kanë shkruar. Ju kemi bërë me dije, kemi kërkuar le të dalin te vizitojnë banorët me hallet, me brengat të cilat ballafaqohen me problemet që i kanë në brezin kufitar… Institucionet e Republikës së Kosovës bindshëm po ju them asnjëherë nuk janë marrë. As nuk u marrë kryeministri, as nuk u marrë presidenti, as nuk u marrë kryeparlamentari, as nuk janë marrë delegatët e kuvendit. Është tmerr çfarë ka ndodhur me Karaçevën dhe çfarë po ndodhë”, shton ai.

Lenjani thotë se do të vazhdojnë të jenë të zëshëm për mbrojtjen e territorit të këtij vendi, për këtë kërkon nga institucionet që të kthejnë vëmendjen ndaj këtij fshati.

“Kërkoj nga Brukseli zyrtar të na ndihmoni t’i mbrojmë 11 mijë km2 dhe t’ia tërhiqni vërejtjen Serbisë. Tërhiqu nga kjo kauzë e dëmshme, nga këto falsifikime që i ke bërë, sepse është tokë shqiptare. Historikisht Kosova asnjëherë nuk ka qenë pjesë e Serbisë… Lus gjithë organet relevante që kësaj here pas këtij rasti te merren seriozisht për të qëndruar seriozisht dhe për ta mbrojtur”, shton ai. /Insajderi.com/