Banorët e Kukësit do të dalin sërish në protestë për shkak të vendimit të qeverisë shqiptare për ta vënë në fuqi taksën rrugore për automjetet që kalojnë në autostradën Prishtinë -Tiranë, të njohur si “Rruga e Kombit”.
Kuksianët do të jenë banorët që preken nga kjo taksë e kjo ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha, sidomos për faktin se ata duhet të kalojnë rrugën edhe për të shkuar në spitalin më të afërt regjional apo në shkolla.
“Të hënën, në orën 11:00, banorët e Kukësit do të ngrihen përsëri kundër taksës së Rrugës së Kombit. T’i bashkohemi protestës!”, thuhet në njoftimin e grupit të organizatorëve “N’shesh”, të shpërndarë në Facebook.
Protesta e kaluar ishte mbajtur në marsin e këtij viti dhe kishte eskaluar me dhunë dhe djegie të pikës kontrolluese në Kukës.