Banorët e rrugës “Muharrem Fejza” në kryeqytet protestojnë të enjten

Banorët e rrugës “Muharrem Fejza” në kryeqytet protestojnë të enjten

Banorët e rrugës “Muharrem Fejza” me rrugët lidhëse në Prishtinë do të protestojnë të enjten në orën 18:00 për shkak të punimeve në këtë rrugë, njofton Insajderi.

Siç është bërë e ditur nga banorët, protesta do të mbahet te rrethi që lidhë rrugën “B” me rrugën “Muharrem Fejza” (te barnatoret).

“Punimet kanë filluar tash e katër muaj, dhe prej asaj kohe përditshmëria jonë është rënduar skajshëm. Nuk kemi hapësira të sigurta për ecje si këmbësorë, persona me nevoja të veçanta tash e sa muaj kanë mbetur mbyllur. Prindërit me fëmijë të vegjël nuk kanë kah të lëvizin me karroca. Të sëmurët e të moshuarit janë në hall. Shërbimet emergjente e kanë të pamundur të qasen në lagje. Mungojnë rrugët alternative dhe ato pak rrugë që shfrytëzohen për hyrje-dalje nga lagjja nuk mirëmbahen. Kështu çdo ditë dëmtohen veturat nga gropat dhe pusetat e hapura që janë rrezik për çdo kënd”, thuhet në njoftimin për media të banorëve.

Tutje, bëhet e ditur se me reshjet e fundit, shumë shtëpi e kate përdhesë të ndërtesave janë përmbytur krejtësisht.

“Ne si banorë, kërkesat tona i kemi adresuar disa here në Komunë por edhe tani jemi pa përgjigje ndaj tyre. Kemi shterur çdo formë mirëkuptimi e institucionale si banorë”.

“Andaj, me datën e lartë cekur PROTESOJMË për: Intensifikim të punimeve, për rrugë alternative të mirëmbajtura, për mbikëqyrje të punimeve dhe zbatim të planit dinamik të punës”.

Rreth një muaj më parë banorët e rrugës “Muharrem Fejza” dhe rrugëve lidhëse, i patën bërë ftesë publike kryetarit të komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe Drejtorit të Investimeve Kapitale, Gëzim Rafuna, që të zhvillojnë një takim me ta. Arsyeja e kësaj ftese ishin punimet në rrugën “Muharrem Fejza” dhe përmes këtij takimi, banorët prisnin sqarime nga Ahmeti e Rafuna për afatet kohore të punimeve./Insajderi.com