Banorët e Sopisë dhe Mushtishtit presin dënimin e Mitroviqit

Banorët e Sopisë dhe Mushtishtit presin dënimin e Mitroviqit

Policia e Kosovës ka arritur ta arrestojë një person i cili ka vite që kërkohej. Ai është serbi nga Suhareka, Bogdan Mitroviq, i cili akuzohet për krime lufte kundër popullsisë civile. Mitroviq pritet që nesër të dalë para Gjykatës Themelore në Prizren.

Arrestimi dhe dënimi i këtij serbi nga Sopia nuk e mund, por e lehtëson dhimbjen e atyre familjeve që humbën të dashurit e tyre në krimet që dyshohet se i kreu Mitroviq.

Sa herë që del në oborr Sevdije Sylës i kujtohet një nga momentet më të rënda në jetën e saj.

Para 18 vjetësh serbët ia vranë dy djemtë dhe bashkëshortin.

Që nga ajo kohë Sevdija nga Sopia e Suharekës, pothuajse çdo ditë shkon te varri i familjarëve të saj.

Dhembja mbase do t`i lehtësohet paksa kësaj nëne tash kur policia e Kosovës e ka arrestuar personin i cili dyshohet të ketë kryer këto krime gjatë luftës në Kosovë.

Bogdan Mitroviq, i arrestuar për krime lufte në Kosovë, me kërkesën e Prokurorisë Speciale, dyshohet se ka kryer krime edhe në pjesë tjera të Suharekës.

Bogdan Mitroviq pritet që nesër të dalë para Gjykatës Themelore të Prizrenit. Zëdhënësja e kësaj Gjykate, tha për RTK-në se aty pritet të vendoset për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Bogdan Mitroviq mbi të cilin ekziston dyshim i bazuar se në bashkëveprim ka kryer veprat penale; krime lufte kundër popullsisë civile.

NË PRITJE TË DËNIMIT

Posted by RTK on Tuesday, 29 August 2017