Baraliu: Edhe pas vendimit të Kushtetueses, Kuvendi është legjitim

Baraliu: Edhe pas vendimit të Kushtetueses, Kuvendi është legjitim

Njohësi i rrethanave kushtetuese Mazllum Baraliu thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shpallje të pavlefshme të votës së deputetit Etem Arifi dhe çuarjen e vendin të zgjedhje brenda 40 ditësh ishte i papritur. Megjithatë thotë se ky vendin është i mirëseardhur dhe pritet të vendos drejtësi në vend, njofton Insajderi.

Baraliu thotë se vetë fakti që për një vendim të tillë u desh të pritet 6 muaj tregon se gjyqtarët i kanë pasur dilemat e veta edhe pse në fund u votua në mënyrë unanime nga të gjithë.

“Nuk është pritur që mund të ketë një vendim të tillë edhe vetë fakti që 6 muaj ka bërë për ta dhënë një përgjigje që ka mund të bëhet për disa javë tregon që ka pasur dilemat e veta, ai që në fund është votuar në mënyrë unanime. Por sidoqoftë ky vendim i Gjykatës Kushtetuese është i mirëseardhur për arsye se legjitimiteti i votës qytetare të zgjedhjeve të fundit në mënyrë apo një tjetër me atë mocionin e mosbesimit dhe me krijimin e kësaj qeverie brenda nate pa kushte përveç për apetite ose orekse politike pushtetore të disa segmenteve të subjekteve të caktuara politike nuk ka shkaktuar ndonjë entuziazëm dhe stabilitet. Përkundrazi ka qenë diçka që nuk ka pasur sukses edhe nuk ka pasur kohezion po edhe shumicën, pra ka qenë qeveri e minorancës dhe një qeveri e brishtë”, thotë ai.

Baraliu thotë se moskoordinimi ndërmjet institucioneve shtetërore përkitazi me evidentimin e të kaluarës së kandidatëve për deputetë, e ka sjell vendin në këtë situatë.

Po ashtu për këtë gjendje, Baraliu e ka bërë fajtore edhe Gjykatën Supreme e cila sipas tij me një aktvendim të dykuptimshëm ka krijuar konfuzitet dhe hamendje.

“Nuk është mirë që ne po i bëjmë këto gabime kështu. Institucionet tona ish dashur më herët të komunikojnë dhe të koordinohen mes vete, të koordinohen që të japin evidenca për njerëzit që kandidojnë për Kuvend. Po flas për KQZ-në dhe Kuvendin e Kosovës, Këshillin Gjyqësor e ndonjë tjetër. Kjo nuk është bërë dhe jemi këtu ku jemi, prandaj vendimi është megjithatë i mirëseardhur sepse e vë në vend drejtshmërinë. E dhe një vendim i Gjykatës Supreme ka shkaktuar hamendësi dhe konfuzion, i cili gjykim në 2017-në ka numëruar në kuptimin e vendosmërisë së tij që duhet vetëm ata të cilët me një vendim të Gjykatës së formës së prerë dhe përfundimtar, gjithsesi ka një vendim plotësues për ndalimin e të drejtës së votës”, shprehet ai.

Baraliu në këtë intervistë për KosovaPress ka sqaruar edhe pozicionin e ushtrueses së detyrës së presidentit pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shkuarjen në zgjedhje.

Ai thotë se Vjosa Osmani, pavarësisht se çfarë ndodh me Kuvendin, për 6 muaj do të jetë në kryerjen e detyrës të së parës së shtetit.

“Detyra e ushtrueses së detyrës së presidentes është fituar në tjetër dispozitë të Kushtetutës dhe ajo ekziston për 6 muaj, pa marr parasysh se çka bëhet me Kuvendin. Tani për tani edhe pas këtij vendimin Kuvendi është krejt legjitim dhe është funksional dhe Qeveria është ajo që nuk është në mandatin e saj, ndërsa Kuvendi është në mandatin e plotë të tij derisa nuk vullneti përmes votave të dy të tretave të deputetëve që ta shpërndajnë atë, ose presidentja. Ushtruesja e detyrës në qoftë se brenda 60 dite nuk zgjidhet presidenti i vendit atëherë shpërndahet Kuvendi”.

Nëse brenda 6 muajsh nuk zgjidhet presidenti i ri i vendit, Baraliu thotë se do të krijohet vakuum institucional, pasi Kushtetuta e vendit nuk e ka paraparë një rrethanë të tillë.

“Problem është që nëse ne kur shpallen zgjedhjet brenda 40 ditësh pasi të bëhet i plotfuqishëm vendimi i Kushtetueses nuk arrijmë që t’i kryejmë detyrat tona me presidentin në afat prej 6 muajsh, atëherë kemi një situatë të vakumit institucional dhe problematik Kushtetuese pasi nuk e parasheh këtë situatë. Në fakt nuk e kemi as presidentin as ushtruesen e detyrës dhe kjo situatë nuk do të duhej në asnjë mënyrë të lejohet. Prandaj është detyrë dhe imperativ i partive politike që të jenë të përgjegjshme dhe serioze dhe të shfrytëzojnë afatet në mënyrë që të kryhen të gjitha obligimet të shpallen zgjedhjet, të mbahen zgjedhjet dhe të zgjidhet presidenti në afatin kushtetues”, thotë ai.

Gjykata Kushtetuese mbrëmë njoftoi se ka shpallur të pavlefshme votën e deputeti Etem Arifi, duke rrëzuar kështu Qeverinë Hoti dhe dërguar vendin në zgjedhje të reja parlamentare./Insajderi.com