Baraliu: Presidenca të shpallë zgjedhjet me urgjencë

Baraliu: Presidenca të shpallë zgjedhjet me urgjencë

Njohësi i çështjeve politike në vend, Mazllum Baraliu, ka deklaruar se data e shpalljes së zgjedhjeve nga ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duhet të bëhet sa më shpejtë dhe të mos humbet kohë, transmeton Insajderi.

Kështu tha ai pas vendimit të plotë të publikuar nga Gjykata Kushtetuese për votën e ish-deputetit Etem Arifi, e cila e rrëzon Qeverinë Hoti dhe e dërgon vendin drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

“Para kësaj do të duhej që aktgjykimi i plotë dhe i kompletuar të shpallet në gazetën zyrtare, pas kësaj ushtruesja e detyrës së presidentes e ka obligim në bazë të Kushtetutës të shpall zgjedhjet dhe të shpërbëhet parlamenti”, ka thënë Baraliu për Klan Kosovën.

“Në bazë të vendimit sipas versionit paraprak të këtij gjykimi thuhet se data e zgjedhjeve duhej të shpallet pas 40 ditësh, prej momentit të shpalljes nga ana e presidencës. Prej kur e shpall presidentja datën fillon të rrjedh afati ligjor për kalimin e atyre 40 ditëve”.

“Duhet të veprohet me urgjencë, pa vonesë dhe menjëherë Osmani duhet t’i thërras edhe njëherë subjektet politike për takime siç i ka thirrur edhe më përpara pas shpalljes së variantit të parë. Ata duhet të konsultohen dhe të dakordohen edhe njëherë dhe të vendosin një datë të përbashkët të zgjedhjeve”, ka shtuar tutje ai.

Sipas tij, Presidenca duhet të shpall mbajtjen e zgjedhjeve në mënyrë që procesi të përfundojë para fillimit të muajit maj.

“Kjo klasë politike domosdoshmërit duhet të shfrytëzojë çdo ditë dhe të kryhen të gjitha veprimet kushtetuese për përgatitjen dhe shpalljen e zgjedhjeve. Pra, duhet të ketë se kush do të shpall mbajtjen e zgjedhjeve këtë e bën presidenca këto duhet të kryhen të gjitha para fillimit të majit”.

“Duhet të mbahen zgjedhjet dhe të formohen institucionet e vendit urgjentisht, nëse kjo nuk bëhet atëherë shteti do të ndodhet në një qorrsokak politik dhe do të bankrotojë pasi nuk ka institucione kompetente që duhet të kryejnë veprimet e tyre për të funksionuar institucionet tjera”, ka thënë Baraliu. /Insajderi.com