Bardhi: Për vaksinimin e grup-moshave të tjera vendosë Komiteti

Bardhi: Për vaksinimin e grup-moshave të tjera vendosë Komiteti

Koordinatori i qendrës së vaksinimit në Prishtinë, Niman Bardhi, thotë se po presin të marrin rekomadime nga Komiteti për vaksinim të popullatës kur bëhet fjalë për vaksinimin e grup-moshave të tjera të popullsisë.

“Ajo mbetet mbi bazën e respektimit të planit të veprimit, që janë afate kohore të ndara dhe në momentin e rekomandimit që rrjedh nga komiteti për vaksinim të popullatës, ne me automatizëm veprojmë sipas atij rekomandimi”, bëri të ditur ai.

Bardhi njoftoi se afër 130 mijë vaksina janë dhënë deri më tani në Kosovë, ndërsa vetëm gjatë paradites së sotme janë vaksinuar rreth 600 persona në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, kurse në nivel vendi mbi tre mijë qytetarë.

“Aktualisht, deri në këto çaste që flasim janë mbi 600 persona të vaksinuar në sallën ‘1 Tetori’, ndërsa nëse i referohemi në nivel të vendit, kemi mbi 3 mijë e 300 doza të dhëna. Ndërsa totali i dozave të dhëna deri në këto çaste që po flasim në nivel vendi janë mbi 129 mijë e 200 vaksina”, tha ai, raporton KP.

Ai bëri të ditur se Kosova ka numër të mjaftueshëm të vaksinave, teksa apeloi te qytetarët që duke respektuar grupmoshën e caktuar, të aplikojnë në platformë dhe të caktojnë terminin.

“Vaksina ka mjaftueshëm në dispozicion, mjafton që të kemi kërkesën dhe interesin e qytetarëve dhe të aplikojnë në platformën ‘Ekosova’ dhe padyshim që kur ne e kemi atë pjesë të terminit të ndarë, ai ka me e marrë vaksinën. Por, apeloj edhe njëherë të gjithë qytetarët që të aplikojnë në platformë dhe paralelisht me ndarjen e terminëve të respektohet grupmosha që kemi mbi 65 vjeç dhe nëse është kategori e të sëmurëve kronik, duhet të dëshmojnë me dokumentacionin bartës mbi shëndetin e personit në fjalë”, tha ai. /Insajderi.com