Basha-Ramës për “sajesën e Shtëpisë së Verdhë: Lëri shpifjet dhe lojërat politike

Basha-Ramës për “sajesën e Shtëpisë së Verdhë: Lëri shpifjet dhe lojërat politike

Kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Basha, i është kundërpërgjigjur kryeministrit Edi Rama, lidhur me akuzat për “për sajesën e Shtëpisë së Verdhë” në raportin e ish-anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dick Marty, njofton Insajderi.

Përmes një postimi në Twitter, Basha i kërkoi Ramës që t’i lë shpifjet dhe lojërat politike dhe t’u japë përgjigje disa pyetjeve lidhur me situatën e shkaktuar nga COVID-19.

“Edi Rama lëri shpifjet dhe lojërat politike, përgjigju pse nuk e hap Covid 4? Pse të infektuarit dergjen nëpër ambulanca e nuk ka vend për ta?”, ka shkruar Basha.

Tutje ka shtuar: “Pse vazhdon vjedhjen dhe i le të sëmurët të vdesin rrugëve. Pasi  shkatërrove ekonominë, tani po ju merr shqiptarëve jetën dhe shëndetin”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka akuzuar kundërshtarët e tij politikë , Ilir Meta, Sali Berisha dhe Lulzim Basha, se e kanë mbështetur raportin e ish-deputetit të Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës Dick Marty, mbi krimet e pretenduara se janë kryer nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, njofton Insajderi.

Rama ka pyetur këto figura politike se pse kanë votuar pro raportit të ish-senatorit zviceran.

“Ilir a mund t’ia thuash shqiptarëve pse e votove pro raportin e Dick Marty, bashkë me Saliun kur ne e votuam kundër? Po ti Lulëzim a e sqaron dot çfarë dosje ke përgatitur për sajesën e Shtëpisë së Verdhë bashkë me mjekun peruan që dëshmon se ti ke mbledhur dëshmitë bashkë me të?”, ka shkruar Rama. /Insajderi.com