Bashkëpartiaku i Etem Arifit: Kosova po i arreston peshqit e vegjël, ne si komunitet po sakrifikohemi

Bashkëpartiaku i Etem Arifit: Kosova po i arreston peshqit e vegjël, ne si komunitet po sakrifikohemi

Qazim Rrahmani nga Partia e Ashkalinjve për Integrim, ka deklaruar se arrestimi i deputetit të kësaj partie, Etem Arifi, është i padrejtë.

“Për ne është e padrejtë. Nëse ka pasur argumente ne e respektojmë drejtësinë, por ne fatkeqësisht jemi duke rënë viktimë. Nëse është Kosova për t’u avancuar përpara duke arrestuar e dënuar njerëz të komuniteteve atëherë ne sakrifikohemi, por jo të arrestohen peshqit e vegjël”, ka thënë ai.

Sipas tij, ‘tentimi i deputetit Arifi për t’i ikur drejtësisë’ është keqkuptuar nga mediat, ndërsa ka shtuar se deputeti në fjalë i është dorëzuar organeve të sigurisë në momentin kur Kushtetuesja mori vendim ndaj kërkesës së tij.

“Z.Arifi është vetdorëzuar dhe nuk është arrestuar nga Policia e Kosovës. Ai është dorëzuar në momentin kur Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim”, u shpreh Rrahmani në televizionin T7.

Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka dënuar me dy vjet burgim me kusht, deputetin e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë së Ashkalinjëve për Integrim, Etem Arifi, pasi ai është shpallur fajtor për veprën penale të mashtrimit me subvencione./Insajderi.com