Bashkëshortja e Agonis Tetaj dëshiron të largohet videoja e vrasjes së tij: Është e rëndë për mua dhe fëmijët

Bashkëshortja e Agonis Tetaj dëshiron të largohet videoja e vrasjes së tij: Është e rëndë për mua dhe fëmijët

Albesa Cacaj, bashkëshortja e tashmë të ndjerit Agonis Tetaj, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Pejë që të largohen pamjet e vrasjes së tij.

Një kërkesë të tillë Albesa, nënë e dy fëmijëve të Agonisit, e ka parashtruar në seancën e mbajtur më 18 qershor, ku për vrasjen e burrit të saj po akuzohet Shaban Gogaj.

Ajo në një përgjigje me shkrim për Gazetën Online Insajderi, tha se kërkesën e ka bërë pasi “është shumë e rëndë që unë dhe fëmijët ta shohim këtë video në rrjete sociale dhe t’i ekspozohen traumave të mëvonshme”.

“Është e tmerrshme që ata në moshën e tyre 6 vjeçare, ta shohin këtë video nga shokët, shoqet apo rrethi ku jetojmë. Është shumë e rëndë, që unë dhe fëmijët ta shohim këtë video në rrjete sociale dhe t’i ekspozohen traumave të më vonshme. Sepse unë si nënë kam obligim t’iu ofrojë një fëmijëri të qetë, ju mjafton trauma e rritjes pa babanë”, tha Cacaj.

Ajo tutje shtoi se videot janë pjesë e dosjes gjyqësore dhe sipas saj, mjafton që ato të jenë aty dhe në organet e sigurisë.

“Unë besoj në drejtësinë e institucioneve tona dhe shpresoj që drejtësia të vihet në vend. Një gjë e tillë pas gjithë kësaj tragjedie do të më lehtësonte procesin e rritjes së fëmijëve tonë. Kjo është arsyeja pse kam kërkuar që të hiqen nga rrjetet sociale”.

Por, ndryshe nga bashkëshortja mendon familja Tetaj.

Videoincizimet e vendit të ngjarjes nga dita kritike i ka bërë publike vetë Isuf Tetaj, babai i Agonisit.

Sipas avokatit të familjes, Berat Tmava, ai ka qenë i detyruar për ta bërë këtë në momentin që aktakuza ndaj Gogajt ishte ri-cilësuar nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia.

“Pamjet i ka publikuar babai i Agonit, kur e ka pa që sipas tij ligji nuk po funksionon, është detyruar t’i publikojë që pastaj publiku ta gjykojë vetë. Videot janë publikuar pa dijeninë time”, tha Tmava në një prononcim për Insajderi-n.

Lidhur me kërkesën e bashkëshortes, Albesës, ai tha se “ajo përfaqëson veten, ndërsa unë familjen Tetaj”.

I pyetur se a është shkelje ligjore publikimi i pamjeve të tilla, avokati Tmava deklaroi se nuk është pasi Tetaj pretendon se është padrejtësi dhe kërkon gjykim publik.

“Sipas ligjit, kur dikush pretendon se i është bërë një e padrejtë si në rastin konkret, edhe nëse i publikon nuk është shkelje, por nëse i publikon dikush tjetër pa lejen e palës së dëmtuar, atëherë e merr përgjegjësinë”.

Sipas aktakuzës se Prokurorisë së Pejës, më 23 shtator të vitit 2018, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj merr një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se acarohet.

Më tutje thuhet se i ndjeri Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të stoqeve përballë tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të largohen edhe dy dëshmitarët e rastit.

Sipas aktakuzës, Gogaj, pasi përfundon bisedën në telefon, nga sirtari nxjerr revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendos karikatorin dhe e merr në shenjë të ndjerin Agonis Tetaj në kokë, duke e vrarë.

Në këtë rast i akuzuar është edhe Isuf Cacaj, i cili akuzohet për armëmbajtje pa leje./Insajderi.com