Bashkësia Islame garanton haxhillëk luksoz, kostoja 3 mijë e 400 euro

Bashkësia Islame garanton haxhillëk luksoz, kostoja 3 mijë e 400 euro

Fiks 860 kosovarë do t’ia mësyjnë realizimit të një prej pesë obligimeve të fesë islame, haxhillëkun, nën organizimin e Bashkësisë Islame e cila ka caktuar koston prej 3 mijë e 400 euro, me të gjitha të përfshira në udhëtimin pelegrinazh në Mekë.

Përderisa qytetarët praktikues të islamit ankohen për çmime të larta, në Bashkësinë Islame përpos arsyetimit se “janë rritur çmimet në Meke”, ka garantuar edhe një udhëtim luksoz të haxhilerëve kosovar.

Veç kësaj këta po zotohen se kushtet që do t’i kenë kosovarët do jenë më të mira nga haxhijtë e vendeve të tjera.

“Kjo është minimumi që kemi me mujt me bo na, ma poshtë nuk mundemi me shkue, sepse nuk mund me rreziku haxhin. Po ju them që për sivjet ju garantoj se kemi një standard shumë të lakmueshëm”, ka thënë një zyrtar i BIK-ut për Klan Kosovën, njofton Insajderi.

Sivjet besimtari më i ri nga Kosova  do të jetë një 6 vjeçar, kurse më i moshuari një 87 vjeçar. Bashkë me të tjerët këta do të qëndrojnë në Arabinë Saudite për 21 ditë, raporton Klan Kosova.

Por një nga qytetarët që nuk ka mundur të shkoj në Meke, për shkak të çmimeve të larta, u shpreh i mllefosur me BIK-un.

“Është e tepërt, cka është tepër, tepër. Atij (haxhilerëve v.j) i duhet edhe 500 1 mijë euro me i marr me veti, ka harxhime aty”, tha një besimtar para Xhamisë kryesore në Prishtinë. /Insajderi.com