Bashkimi Evropian paralajmron mundësinë e rinisjes së dialogut Kosovë – Serbi

Bashkimi Evropian paralajmron mundësinë e rinisjes së dialogut Kosovë – Serbi

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se ka mundësi një rinisje të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pas kompletimit të institucioneve të Kosovës, të cilat kanë dalë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, transmeton Insajderi.

Autoritetet e të dyja shteteve, vazhdojnë të kenë pikëpamje dhe qëndrime të kundërta ndaj dialogut, ndërsa analistja shqiptare, Donika Emini dhe analisti serb, Ognjen Gogiq, thanë se nga të dyja palët vazhdimi i procesit të dialogut është i padëshirueshëm.

Nga ana tjetër, Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, ka theksuar se kryeministri Albin Kurti, për sa i përket dialogut me Serbinë, tashmë e ka shprehur qëndrimin e tij, i cili vazhdon të jetë i pandryshuar.

“Kryeministri Kurti ka dhënë katër parime për dialogun me Serbinë. E para, duhet të pranohet realiteti i Kosovës së pavarur. Pra, nuk mund të kthehemi para pavarësisë së vitit 2008. E dyta, duhet të pranohet e vërteta. Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe duhet të pranojë krimet që ka bërë. E treta, duhet të ulemi të barabartë. Kosova nuk mund të jetë temë diskutimi, por duhet të jetë palë e barabartë në diskutim. E katërta, duhet nga dialogu dhe nga marrëveshja finale të përfitojnë qytetarët”, ka shtuar Kryeziu.

Ai theksoi se dialogu nuk zhvillohet për të rregulluar imazhin e politikanëve, por për të përmirësuar jetën e qytetarëve.

Ditë më parë, zyrtarët e Bashkimit Evropian, kanë deklaruar se të dyja palët, Kosova dhe Serbia, kanë shprehur gatishërinë për rifillimin e dialogut.

Kurse, Ambasada Amerikane në Prishtinë, nuk ka komentuar mbi parimet e paraqitura nga Kurti për dialogun, por ka thënë se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë ta mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli zyrtar. /Insajderi.com