Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe ai i Tiranës Erion Velijaj kanë shumë të përbashkëta, por ndahen në një pikë e cila vë në pikëpyetje rrugën e përbashkët të dy figurave të rëndësishme në skenën politike në Kosovë dhe Shqipëri
Shpend Ahmeti po e shëtiste nëpër qytet homologun e tij nga Tirana, Erion Veliaj, të martën pasdite, kur u ndalën nga autori i emisionit “Me Shukin” për t’i pyetur rreth tri këshillave që ata i japin njëri-tjetrit.
Këshilla e parë e Veliajt, kryebashkiakut të Tiranës për kryetarin e Prishtinës, ishte e qartë:
“Mos u merr me politikë të madhe, merru me qytetin”, tha Veliaj, teksa vazhdoi të sugjerojë Ahmetin të luaj më shumë basketboll dhe të vijë më shpesh në Tiranë.
E këshillat e Ahmetit ishin pak a shumë të njëjta. E këshilloi atë të hante më pak dhe ta vizitonte më shpesh Prishtinën.
“Merru me politika më të mëdhaja”, tha Ahmeti, duke shkaktuar të qeshura.
Por këto të qeshura shkojnë përtej një mospajtimi për “politikë”.
Kur kryetarët e dy kryeqyteteve shqiptare, Prishtinës dhe Tiranës, e këshilluan njëri tjetrin që që të merren apo jo me politika të mëdha, e kishin fjalën për angazhimin politik, që tejkalon pozitën e tyre, si kryetar të një institucioni lokal dhe jo qendror.
Por është një detaj tjetër me të cilin të dy kryetarët e komunave nuk pajtohen. E ky detaj ka të bëjë me “politika të mëdha” apo çështja e bashkimit kombëtarë mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Ndasitë në këtë pikë janë të mëdha. Këto ndasi kanë rënë në sy, pikërisht në ditën e dytë të vizitës së Veliajt në Prishtinë.
Përderisa për Ahmetin, bashkimi kombëtar mes Kosovës dhe Shqipërisë është një ideal për të cilin klasa politike ekzistuese që drejton shtetin e Kosovës e ka harruar dhe se vetëm partia në të cilën ai është, Vetëvendosje punon sinqerisht për të arritur këtë çështje.
Bashkimin me Shqipërinë, Ahmeti e kishte quajtur si “të drejtë natyrale” e cila duhet të ndodhë. Madje në një intervistë vitin
“Unë do të punoj drejt fuqizimit të Republikës së Kosovës që ta kemi të drejtën e vetëvendosjes”, kishte thënë Ahmeti për emisionin “Republika”.
Por homologu i Ahmetit, Erion Veliaj, të mërkurën dha një ide krejtësisht tjetër mbi këtë temë.
Sipas Veliajt, kryetarët e Prishtinës dhe Tiranës, duhet fokusuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve para fjalimeve për bashkim kombëtar.
“Për mua është një absurd të flasim për komb të madh nëse ne na vdesin njerëzit nga ndotja e mjedisit”, tha Veliaj në takimin përmbyllës me homologun nga Prishtina.
Të dy kryetarët paralajmëruan një takim rajonal me kryetarët e komunave të Preshevës, Tetovës dhe Ulqinit. Takimi do të mbahet më 26 dhe 27 nëntor në Tiranë ku sipas kryetarëve do të diskutohen temat e urbanizimit, inovacionit, investimeve, transportit publik dhe mjedisit.
“Ideja e takimit të pesë bashkive për të shkëmbyer përvojat, mendoj se është një ide shumë e qëlluar. Kemi shumë ide që i marrim nga popujt e perëndimit por mentalitetin e popullit tonë nuk e njeh askush më mirë se vetë ne, prandaj është shumë i mirë ky organizim ndërshqiptar,” tha Ahmeti.
Ndërkaq Veliaj tha se ky takim paraqet një hap konkret dhe praktik drejt bashkimit dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve shqiptarë.
“Kur ne propozojmë të bëjmë një takim të komunave ku jeton një e treta e popullit tonë në rajon, unë besoj se kjo është shumë më praktike se të gjithë nacionalizmat që ne mund të dëgjojmë. Nëse ne arrijmë që përmes kësaj platforme të rrisim cilësinë për një të tretën e popullsisë shqiptare në rajon, unë besoj që ky në të vërtetë është një bashkim dhe kontribut konkret,” deklaroi Veliaj.