Baton Haxhiu kërkon 300 mijë euro nga organizata që tha se “Klan Kosova e favorizon PDK-në”

Baton Haxhiu kërkon 300 mijë euro nga organizata që tha se “Klan Kosova e favorizon PDK-në”

Televizioni Klan Kosova, e ka paditur Nismën e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), me pretendimet se kjo organizatë ka shpifur ndaj këtij mediumi.

Si dëmshpërblim, drejtori i këtij televizioni, Baton Haxhiu, përmes padisë, po kërkon rreth 300 mijë euro.

Ky televizion, këtë padi e ka ushtruar më 24 qershor të vitit 2010, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Padia ndaj kësaj organizate, ka ardhur në bazë të pretendimeve se më 24 maj të vitit 2010, në konferencën “Dy vite pas – Qeverisja nën llupë”, ku është prezantuar raportin “State of constriction”, YIHR-ja ka shpifur ndaj këtij televizioni.

Sipas padisë, në faqen 17 të këtij raporti, thuhet se “pasuan ndryshime në skenën mediale, televizioni i ri nacional kabllor TV Klan Kosova, favorizon Partinë Demokratike të Kosovës (PDK)”.

Lidhur me këtë padi, të enjten është mbajtur seanca në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku prezent kanë qenë përfaqësuesja e palës paditëse, Nora Veliu, drejtoresha aktuale e palës së paditur, YIHR-së, Marigona Shabiu si dhe përfaqësuesja e kësaj organizate, Merita Stublla – Emini.

Gjithashtu, në këtë seancë janë dëgjuar edhe dy dëshmitarët Alex Anderson që e ka përpiluar raportin në fjalë, si dhe ish-drejtoresha e kësaj organizate Sara Maliqi, e cila e ka udhëhequr YIHR-në në kohën kur ishte prezantuar raporti i kontestuar nga pala paditëse.

Anderson dhe Maliqi, kanë qenë të propozuar për tu dëgjuar si dëshmitarë nga e paditura, YIHR-ja.

Dëshmitari Alex Anderson, në këtë seancë, ka deklaruar se raportin, i cili është objekt i padisë, e ka përpiluar vet dhe sipas tij, ai përmban 50 faqe dhe i cili ka qenë i financuar nga qeveria suedeze.

Ai tha se i janë dashur gjashtë muaj që të mblidhte informata dhe të bënte një raport të tillë, duke shtuar dokumenti ka pasur të bëjë jo vetëm me lëvizjen e lirë, por edhe me lirinë e shprehjes.

“Dhe duke qenë se unë si drejtori i ICG, Grupi Ndërkombëtar i Krizave, se kam qenë i kualifikuar të shkruaj raporte dhe kam ndihmuar procesin e shtet formimit të Kosovës deri sot”, ka deklaruar ai.

Kurse, Sara Maliqi, ka deklaruar se puna e organizatës që dikur e ka udhëhequr, ka qenë monitorimi dhe analizimi i lirisë së mediave në Kosovë.

“Iniciativa e të rinjve është e regjistruar. Është financuar nga një numër i madh donatorësh e një prej tyre dhe specifikisht “Civil Rights Defenders (CRD”. Këtë raport e ka financuar dhe është i mbështetur nga qeveria suedeze. Ne kemi punuar me stafin e Nismës dhe kemi përpilua draft raportin, mirëpo nuk kemi dal të kënaqur me atë raport dhe e kemi zgjerua. Në të njëjtën kohë i kemi filluar bisedat me Alex Anderson të cilin unë e kam njohur si udhëheqës i Grupit Ndërkombëtar të Krizave. Ky nuk është raporti i vetëm, ka pasur raporte të tjera nga kjo organizatë jo qeveritare. Përpiluesit e raportit kanë qenë të pavarur në punën e tyre për temën për të cilën e kanë pasur. Dhe ne e kemi respektuar të drejtën e autorit. Publikimin e kemi bërë gjatë konferencës në numër të vogël dhe pastaj është vendosur në webfaqe të YIHR. Ky raport ka shku jashtë pasi që donatori ka qenë i huaj dhe e kemi dërguar në selinë e tij në Stokholm. Qëllimi i raporteve ka qenë për me mat lirinë dhe të drejtat e qytetarëve”, ka deklaruar Maliqi.

Duke u përgjigjur në pyetjet e përfaqësues së Klan Kosovës, avokates Nora Veliu, dëshmitarja Maliqi, ka thënë se ajo ka qenë përgjegjëse për mbikëqyrjen e hartimit të këtij raporti.

Sipas Maliqit, zgjidhja e këtij rasti është e rëndësishme për shoqërinë në Kosovë.

“Shoqëria civile në një shoqëri demokratike e pjesë e së cilës është edhe YIHR, e cila e luan rolin e kujdestarit të qytetarit në raport qytetar-shtet dhe po ashtu shoqëria civile luan rol te rëndësishëm në Zhvillimet shoqërorë dhe zhvillimin e demokracisë në Kosovë”, ka thënë tutje Maliqi.

Përfaqësuesja e Klan Kosovës, Nora Veliu, ka thënë se nga dëshmia e dëshmitarëve vërehet qartë se e paditura nuk ka aftësi të përmbush barrën e provës që i takon dhe të vërtetojë përmbajtjen, sipas saj, kontestuese të raportit.

“Nga dëshmia e Anderson ku ai deklaroi se nuk e ka kontaktuar paditësen Klan Kosova, lidhur me pretendimet që do të publikoheshin në raport e po ashtu nuk ka zhvilluar intervista me publikun dëshmohet qartë se e paditura nuk ka vepruar me përgjegjësi për hartim të ketij raporti”, ka deklaruar Veliu.

Sipas saj, një raport nuk mund të hartohet vetëm në bazë të opinionit të hartuesit.

Ndërsa, përfaqësuesja e YIHR-së, Merita Stublla – Emini, ka thënë se ky raport ka përkrahur vetëm interesin publik dhe sipas saj Konventa për të Drejtat e Njeriut e definon këtë të drejtë si lirinë e mendimit dhe lirinë për të marrë ose për te dhënë informacione pa ndërhyrjen e organeve publike.

Në fund të kësaj seance, përfaqësuesja e Klan Kosovës, Nora Veliu, ka thënë se drejtori i këtij televizioni, Baton Haxhiu, ka shprehur vullnetin të bëhet një ekspertizë financiare për të vlerësuar dëmin që ky raport sipas saj, i ka shkaktuar këtij mediumi.

Por, gjykatësja e çështjes, Naime Ahmeti, ka thënë se një propozim i tillë nuk është konkret, me ç’rast ka marr aktvendim me të cilin është refuzuar caktimi i ekspertit financiar.

Ndërsa, për fjalën përfundimtare, gjykatësja Ahmeti, ka kërkuar nga palët që ta dorëzojnë me shkrim.

Mirëpo, avokatja Nora Veliu ka insistuar që të jep fjalën përfundimtare shkurtimisht.

Ajo më pas ka deklaruar se mbetet në tërësi pranë pretendimeve të paraqitura përmes padisë, lidhur me dëmshpërblimin e kërkuar për shkak të rrënimit të reputacionit të paditësit.

“Se sa është dëmtuar reputacioni i paditëses kërkojmë që gjykata ta vlerësojë, meqenëse kjo nuk mund të përcaktohet me ekspertizë, duke pasur parasysh se paditësja është person juridik”, ka deklaruar për fund Veliu.

Kurse, përfaqësuesja e YIHR-së, Mertia Stublla-Emini, ka thënë se pretendimet e paditëses janë pa fakte dhe të pavërtetuara.

“E paditura në asnjë mënyrë me veprimet e veta nuk e ka cenuar reputacionin e paditësit”, ka thënë në fund ajo.

Vendimi lidhur me këtë çështje, sipas gjykatëses Naime Ahmeti, do të merret brenda aftit ligjor.

Ndryshe, paditësi Klan Kosova, më 24 qershor 2010, ka ushtruar padi ndaj Youth Initiative For Human Rights (YIHR), me pretendimin se kjo organizatë në raportin “State of constriction” ka thënë “pasuan ndryshime në skenën mediale, televizioni i ri nacional kabllor TV Klan Kosova, favorizon Partinë Demokratike të Kosovës (PDK)”.

Sipas kësaj padie, ky raport pastaj ishte shpërndarë më të gjitha mediat dhe organizatat e ndryshme qeveritare dhe jo qeveritare.

Në padi thuhet se drejtori i Klan Kosovës, Baton Haxhiu kishte qenë i shokuar pasi që pohimet në raportin e lartcekur ishin të pavërteta dhe e paditura YIHR kishte dhënë deklarata të pasakta dhe tendencioze duke i shpërndarë ato në opinion, pa dhënë ndonjë argument lidhur me to.

Gjithnjë sipas padisë, reputacioni i mirë i Klan Kosovës i krijuar me mund të madh ishte rrënuar me këtë veprim me të cilin e paditura i kishte shkaktuar dëm të madh.

Ndër të tjerash, në këtë padi thuhet se si pasojë e kësaj dezinformate, paditësi Klan Kosova ka pasur humbje edhe në marketing, pasi që shumë klientë janë shprehur se nuk dëshirojnë të reklamohen në media të cilat janë të afërta me parti politike.

Me anë të kësaj padie, Klan Kosova kërkon që t’i paguhet dëmi i shkaktuar për shkak të mos lidhjes se kontratave të marketingut në shumën prej 235.000 euro.

Gjithashtu, paditësi kërkon shumën prej 50.000 eurosh, për shkak që siç thuhet në padi, të rrënimit të reputacionit të rrënuar të televizionit. /Betimiperdrejtesi.com