Bazaj: Kadri Veseli nuk e mbajti fjalën, do të kandidoj i pavarur në Drenas

Bazaj: Kadri Veseli nuk e mbajti fjalën, do të kandidoj i pavarur në Drenas

PDK pritet të përballet përsëri me një situatë të vështirë sikurse në zgjedhje e kaluara në bastionin e tyre, në Drenas.

Naim Bazaj, i cili është kryesues në Kuvendin Komunal, do të kandidojë si i pavarur në zgjedhjet e 22 tetorit.

Ai kishte garuar edhe në zgjedhjet e jashtëzakonshme që u mbajtën në dhjetor të 2016 në Drenas, por pas negociatave me partinë kishte vendosur të tërhiqet nga kandidatura e tij

Ndërsa sot Bazaj ka thënë se këtë e ka bërë me marrëveshje me shefin e partisë, Kadri Veseli, duke i premtuar se do kandidohej në këto zgjedhje për kryetar komune.

Bazaj thotë se ka formuar ekipin e tij dhe po bëhet gati për të garuar si i pavarur për kryetar të Drenasit.

“Ka qenë marrëveshja mes meje dhe Kadri Veselit që unë të tërhiqem nga gara në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Drenas në mënyrë që tash të jem kandidat i PDK-së. Kjo nuk ka ndodh, dhe unë do garoj si i pavarur”, ka thënë Bazaj për Magazina.al.

Ai thotë se është i bindur se do të fitojë, duke shtuar se PDK-ja do t’i fitojë vetëm 5 përqind.

“Në zgjedhjet e Drenasit u ngrit një shtet i tërë dhe PDK fitoi vetëm 45 për qind. Tash do t’i marrë vetëm 5 përqind”, ka shtuar ai Bazaj.

Më tej ai ka thënë se ka krijuar një ekip të mirë të përbërë nga anëtarë të kryesisë së PDK-së që kanë dhënë dorëheqje nga partia, por që ende nuk e kanë bërë publike.

Kujtojmë që Bazaj ishte në listën e PDK-së për deputet por që nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme.