Bashkimi Evropian: Deportimi i turqve kundër parimeve fundamentale evropiane

Bashkimi Evropian: Deportimi i turqve kundër parimeve fundamentale evropiane

Bashkimi Evropian ka reaguar pas arrestimit të gjashtë shtetasve turq në Kosovë, për dëbimin e tyre të mëpasshëm në Turqi, ku ata akuzohen për gjoja terrorizëm.

BE-ja e ka cilësuar arbitrar dhe kundër të drejtave të njeriut arrestimin e shtetasve turq, të enjten e kaluar.

“Arrestimi dhe dëbimi i mëpasshëm i gjashtë shtetasve turq, të cilët kishin leje qëndrimi në Kosovë, ngjall dyshime për respektimin e procesit të rregullt ligjor”, ka deklaruar për Express zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiq.

“Sundimi i ligjit është parim themelor i Bashkimit Evropian. Në linjë me vendosmërinë e tyre për të ndërtuar një të ardhme të lirë dhe demokratike, dhe gjithashtu siç përcakton Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian, të gjitha veprimet e institucioneve vendëse në Kosovë duhet të jenë në përputhje me sundimin e ligjit dhe respektimin universal të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore. Procedurat arbitrare në lidhje me arrestimin, mbajtjen apo azilin bien ndesh me këto parime”, ka theksuar Kocijançiq.

“Sa i përket Turqisë, ndonëse ne e kuptojmë nevojën që t’i sjellin para drejtësisë përgjegjësit për përpjekjen e 15 korrikut për grusht shteti, çfarëdo akuze për keqbërje apo krim duhet t’i nënshtrohet procesit të rregullt dhe normave të mirënjohura ndërkombëtare, kur kërkohet ekstradimi. E drejta e çdo individi për gjykim të drejtë duhet të respektohet plotësisht. Si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe si anëtare e Këshillit të Evropës, Turqia ka pranuar këto parime”, ka deklaruar zëdhënësja e BE-së.