Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, deklaroi të mërkurën se me këtë qasje të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë ndaj dialogut, ndërmjetësuesit mund të kërkojnë ndërprerje të këtij procesi.
E sipas Hasanit, ndërprerja e dialogut i shkon në favor vetëm Serbisë.
“Kjo na dëmton neve shumë, na dëmton sepse Serbia është shtet i konsoliduar dhe për ne është problem anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare.
T’i mund të aplikosh, por pas shtatorit Serbisë i del afati për embargo për çnjohje dhe unë jam i bindur se Serbia tinëz ka lobuar për çnjohje, por pas 1 shtatorit nisë praktikën e çnjohjeve dhe nëse niset ajo është keq për neve”, tha ai në Klan Kosova.
Duke folur për mundësinë që Serbia të tërhiqet nga dialogu, ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese tha se edhe në këtë situatë Kosovës do t’i mbetej faji, për shkak të mos respektimit të procedurave të lehtësuesve.
“Procesi i dialogut është procedurë, sikur kjo derë, ti mund të dalësh për dere por mund të dalësh edhe për dritare, por rregulli është që të dalësh për dere.
Në qoftë se ne nuk i ndjekim procedurat e lehtësuesve të cilët po ndërmjetësojnë sipas një detyrimi që e kanë marrë nga Asambleja e Përgjithshme, atëherë neve na ngelet faji se nuk po duam të dialogojmë”, tha Hasani.
Rundi i fundit i bisedimeve midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u zhvillua më 19 korrik në Bruksel.
Palët akuzuan njëra-tjetrën për mungesë të vullnetit që procesi të ecë përpara.
Megjithatë, ato u pajtuan që t’i vazhdojnë bisedimet në shtator./Insajderi.com