BE flet për vendimin e Spanjës që s’ndryshon qëndrim për Kosovën pa zgjidhjen e dialogut

BE flet për vendimin e Spanjës që s’ndryshon qëndrim për Kosovën pa zgjidhjen e dialogut

Ani pse Spanja nuk ka asnjë plan për të hapur një zyrë ndërlidhëse në Prishtinë, Bashkimi Evropian thotë se është e drejtë dhe kompetencë sovrane e secilit shtet anëtar të Bllokut që të vendosë se ku të hapë përfaqësimin e tij diplomatik.

Në një përgjigje për Gazetën Online Insajderi, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, thotë se BE nuk komenton për spekulimet e ndryshme të mediave, por kujton se shtetet përbërëse të Unionit janë të pavarura në këtë aspekt.

“Ne zakonisht nuk komentojmë për spekulime të ndryshme në media, unë mund të kujtoj vetëm se është një e drejtë dhe kompetencë sovrane e secilit Shtet Anëtar të BE-së të vendosë se ku hap përfaqësimin e tij diplomatik”, ka thënë Stano, duke shtuar se për raportimet lidhur me hapjen e zyrës diplomatike spanjolle në Kosovë, i vetmi institucion kompetent që mund të flasë është Ministria e Punëve të Jashtme e Spanjës.

Pretendimet mediale për ndërrimin e qëndrimit të Spanjës për njohjen e pavarësisë, i ka hedhur poshtë duke i mohuar një burim në MPJ-në spanjolle.

Ky burim diplomatik për Insajderin thotë se Spanja vazhdon të refuzojë pavarësinë e Kosovës dhe nuk do të ndryshojë pozicion, derisa të zgjidhet çështja e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.

“Pozicioni i Spanjës për mosnjohjen e deklaratës së Pavarësisë, i miratuar nga Prishtina në 2008, nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë nëse çështja nuk zgjidhet përmes dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit”, thuhet në përgjigjen me shkrim për redaksinë.

“Nga ana jonë, ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë, sa më shumë që të mundemi, në këto përpjekje, pasi përparësia për Spanjën është stabiliteti politik dhe prosperiteti ekonomik i Ballkanit”.

Spanja konsiderohet si një nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që mban qëndrim të palëkundur kur bëhet fjalë për pavarësinë e Kosovës.

Ndër vendet tjera anëtare të BE-së që vazhdojnë të mos e njohin Kosovën shtet të pavarur janë Qipro, Greqia, Rumania e Sllovakia. /Insajderi.com