BE i dhuron Kosovës 30 respiratorë për të luftuar pandeminë COVID-19

BE i dhuron Kosovës 30 respiratorë për të luftuar pandeminë COVID-19

Ministria e Shëndetësisë ka pranuar sot donacion nga Bashkimi Evropian, një kontingjent prej 30 respiratorësh për të ndihmuar Kosovën në luftën kundër pandemisë Covid-19, njofton Insajderi.

Pranimin e këtyre respiratorëve e ka bërë ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, i cili falënderoi BE-në për ndihmën e vazhdueshme ndaj Kosovës në këtë situatë që është krijuar nga virusi Corona.

“Kjo ndihmë e sotme dhe ky kontingjent i ventilatorëve do të ndihmojë shumë në organizim, të cilin po e bëjmë së bashku me SHSKUK-në në ndarjen e përgjegjësive për të ndihmuar çdo qytetar që mund të jetë infektuar dhe po përballet me jetën nga pandemia COVID-19”, ka thënë Zemaj.

Ai tutje ka shtuar se kjo ndihmë do të lehtësojë luftën me COVID-19 dhe punën e profesionistëve shëndetësorë.

“Kjo ndihmë është vlerësim i madh, i nevojshëm, i domosdoshëm dhe shpresojmë që çdo jetë e shpëtuar do të jetë falënderim tepër i arsyeshëm dhe i konsiderueshëm për taksapaguesit evropianë dhe për ju që po e ndihmoni Republikën e Kosovës. Me këtë angazhim do të na lehtësoni luftën ndaj pandemisë COVID-19, do t’ua lehtësoni punën profesionistëve shëndetësorë”, ka thënë ministri pas pranim-dorëzimit të kontingjentit. /Insajderi.com/