BE insiston në rifillimin e dialogut, analistët kërkojnë qasje serioze nga qeveria e re

BE insiston në rifillimin e dialogut, analistët kërkojnë qasje serioze nga qeveria e re

Bashkimi Evropian kërkon që qeveria dhe autoritetet e reja në vend të angazhohen në mënyrë konstruktive për vazhdimin e takimeve të dialogut, në mënyrë që të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse, transmeton Insajderi.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano, thotë se presin gatishmëri për dialogun nga qeveria e re në Kosovë.

“BE ishte shumë e qartë në deklaratën e përbashkët të lëshuar të hënën nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të jashtme Borrell si dhe Komisioneri Varhelyi, se ne po presim me padurim formimin e qeverisë së re dhe ndër të tjera gjithashtu presim që autoritetet e reja në Prishtinë të angazhohen në mënyrë konstruktive për vazhdimin e takimeve të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, si dhe të shfrytëzojnë mundësinë që para tyre të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse” thotë ai për KP.

Ndërsa, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike shprehet optimist se qeveria e re do t’i qaset me seriozitet dialogut me Serbinë.

“Pavarësisht deklaratave rreth dialogut, besoj dhe shpresoj që qeveria ta ketë seriozitetin e duhur për t’iu qasur çështjeve të rëndësishme të politikës së jashtme, ku konsiderohet edhe dialogu Kosovë-Serbi. Nëse vjen një kërkesë nga BE-ja, por qoftë edhe nga ShBA-ja, besoj që qeveria duhet t’i qaset me seriozitetin më të madh, normalisht duke i pasur parimet themelore të negociatave dhe strategjinë se deri ku dëshiron të arrijnë në këtë proces. Nuk do të ishte mirë të kemi ngërçe pa ndonjë arsye të madhe nëse nuk kemi ndonjë pengesë ose çështje që menjëherë i vihen në tavolinë Kosovës, e që ndoshta nuk përbënë ndonjë rrezik të madh për shtetësinë dhe shtetin e Kosovës. Do të duhej të kishte një qasje pro aktive dhe të tentohej të arrihet një marrëveshje finale”, thotë ai.

Ndërsa, Demush Shasha nga instituti “Epik” thotë se kryeministri i ardhshëm duhet të pajtohet të bashkëjetojë gjatë qeverisjes së tij me realitetin që qytetarët nuk e konsiderojnë prioritet dialogun, por në anën tjetër ekzistojnë pritjet e ndërkombëtarëve për progres të tij.

“Kryeministri Kurti tani duhet me i pajtua dy realitete që të bashkëjetojë në kuadër të qeverisjes së tij. Një realitet është ai ku dialogu nuk është prioritet i qytetarëve. Pra në asnjë sondazh të mundshëm, dialogu nuk del në top 5-6 prioritetet e para. Në anën tjetër është një realitet ku ekzistojnë pritjet e ndërkombëtarëve për progres në kuadër të dialogut me Serbinë. Tani këto dy gjëra nuk duhet parë si ekskluzive. Pra nuk duhet një qeveri të ndjek vetëm reformat e brendshme, apo të ndjek vetëm dialogun me Serbinë. Prandaj unë besoj që qeveria e ardhshme Kurti duhet të gjejë një model që është i mundshëm që do të ndjek reformat evropiane që ka marrë mandat, por njëkohësisht të fokusohet edhe në dialogun me Serbinë”, deklaron Shasha. /Insajderi.com