Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, kryeparlamentari Kadri Veseli ka folur për ligjet që do të mriatohen gjatë javës në Kuvend.
Veseli është shprehur se Kosova po punon që të merr vendime të agjendës evropiane, përkundër që i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave.
Shefi i legjislativit ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që ta mbajë fjalën, shkruan Gazeta Insajderi.
“Të gjitha kriteret për viza i kemi përmbushur, në këtë moment po përmbushim edhe agjendën everopiane që nuk janë të ndërlidhura me vizat. Nuk ka arsye që të ketë vendimarje tjetër, veç asaj që është e drejtë për qytetarët e Kosovës. Kosova e meriton, beson në BE dhe pret vendimmarje e cila nuk e turpëron BE-në, dhe ajo duhet që të mbajë fjalën dhe të ketë liberalizim në fund të këtij viti”, ka thënë Veseli.
Ai ka folur edhe për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL. Është shprehur optimist, por ka thënë se Serbia po lobon ashpër që një gjë e tillë të mos ndodhë.
Asgjë nuk është e pazakontë. Nesër në agjendën e anëtarësimit të INTERPOLIT, Kosova ka bërë punë të mirë. Jemi optimist, por nuk dua të flas para se të kryhet puna, pasi Serbia po lobon ashpër kundër nesh”, deklaroi kryetari i Kuvendit.
I pyetur nëse do të ndodhë transformimi i FSK-së më 28 nëntor, Veseli nuk u përgjigj direkt.
Tha se çdo datë e formimit të Ushtrisë, do të ishte historike.
“28 nëntori, urime kur të vie të gjithë shqiptarëve, edhe pse neve të Kosovës na kanë mbajt të ndamë dhe na ka kushtu rëndë. Por emocionalisht për të gjithë është i shenjtë flamuri kombëtar, edhe pse duhet të jenë të shenjta edhe simbolet e Kosovës. Çdo datë e transformimit është datë historike e Kosovës. Kemi nevojë për data të mira’, përfundoi Kadri Veseli.
Ndryshe në mbledhjen e Kryesisë u vendos që seanca për politikën e jashtme do të mbahet të enjten. /Insajderi.com