BE-ja e ka vendosur Ballkanin Perëndimor “në dhomë të pritjes”

BE-ja e ka vendosur Ballkanin Perëndimor “në dhomë të pritjes”

Bashkimi Evropian e ka vendosur Ballkanin Perëndimor në një “dhomë të pritjes” pothuajse të përhershme të anëtarësimit, ku gjashtë shtetet në rajon janë të dënuar të qëndrojnë në një kategori ‘pothuajse anëtare të BE-së, por asnjëherë plotësisht anëtare të BE-së’.

Këtë perspektivë sa i përket procesit të zgjerimit e ka ndarë profesori irlandez John O’Brennan, në një intervistë më Shqip.com, i cili është ekspert i politikës së jashtme dhe zgjerimit të BE-së.

Sipas tij, problem afatgjatë është se BE-ja mbetet krejtësisht indiferente ndaj përspektivës së zgjerimit në Ballkanin Perëndimor. Kjo nuk ka të bëjë me barrën ekonomike dhe përfshirjen e këtyre vendeve të vogla në Bashkimin Doganor të Be-së, por problem qëndron brenda Këshillit Evropian dhe është politik.

Derisa tregoi për fajtorët lidhur me këtë çështje, O’Brennan gishtin e drejtoi nga Franca dhe Holanda, për të cilat thotë se përdorin taktika penguese brenda Këshillit për interesat e tyre kombëtare.

“Franca dhe Holanda në veçanti duket se kundërshtojnë aderimet e mëtejshme sepse do të zbehë fuqinë e tyre në Këshillin e Ministrave dhe Këshillin Evropian. Pra, ka llogaritje të papërpunuara në lidhje me ndikimin negativ të interesave kombëtare nëse kemi gjashtë shtete të reja të vogla që ulen si të barabarta në Këshillat Evropian”, thotë ai.

Eksperti irlandez i çështjeve të integrimeve evropiane – John O’Brennan

Profesori për studime evropiane thotë se është zhgënjyese se si Këshilli Evropian për të vetmen herë që i kushton vërtetë vëmendje rajonit të Ballkanit Perëndimor është pas tensioneve të krijuara në veri për shkak të reciprocitetit për targat midis Kosovës dhe Serbisë.

“Është jashtëzakonisht zhgënjyese që e vetmja herë që Këshilli Evropian i kushton vërtetë vëmendje rajonit është gjatë episodeve të tensionuara si mosmarrëveshja për targat mes Kosovës dhe Serbisë”, tha ai.

I pyetur se për sa kohë më tepër mund të përballen këto vende me “zgjatje të afateve” që ka vite të cilat po ndodhin, O’Brennan thotë se nuk ka “nxitim për anëtarësim”.

Kjo pasi të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë pritur tashmë 18 vjet që kur u ishte premtuar anëtarësimi në Samitin e Selanikut në 2003.

“Pra, ata kanë pritur më gjatë se çdo aplikant i mëparshëm për anëtarësim në historinë e BE -së. Unë nuk ndjej asgjë tjetër veçse turp për këtë”, thotë ai, duke shtuar se tani për tani duket se është një perspektivë e largët si në çdo kohë në njëzet vitet e fundit.

Ai më tej përmendi edhe problemin midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke thënë se kjo e fundit ka bërë përparimin më të madh në vitet e fundit.

Sipas tij, një gjë e tillë po e bën sjelljen e Bullgarisë edhe më të kundërshtueshme dhe një tjetër faktor që do të luajë rol të madh janë zgjedhjet e përgjithshme që pritet të mbahen në Bullgari në nëntor.

“Duke pasur parasysh që Bullgaria do të mbajë zgjedhjet e treta të përgjithshme të vitit në nëntor, llogaritja e shumë politikanëve bullgarë është se ata duhet të mbeten ‘të fortë’ dhe të vendosur në trajtimin e çështjes së Maqedonisë së Veriut”.

Pavarësisht gjithçkaje, profesori irlandez thotë se asnjë reformë e vërtetë konstruktive – të cilën BE e kërkon nga vendet kandidate – nuk mund të ndodhë nëse elitat politike në këto shtete kandidate nuk besojnë se përfundimisht do të bëhen anëtare.

Të mërkurën e 6 tetorit është mbajtur Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Brdo të Sllovenisë, ku udhëheqësit e të dyja palëve kanë miratuar një deklaratë të përbashkët.

Deklarata e përbashkët e përfaqësuesve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Samitin në Brdo

Në këtë deklaratë përmenden disa pika për të cilat BE-ja dhe Ballkani Perëndimor kanë rënë darkord. Ndër të tjera, përmendet edhe procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Nga këto dy shtete, në deklaratë thuhet se pritet që të bëjnë hapa konkret në normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes tyre.

“Ne mbështesim plotësisht përpjekjet e Përfaqësuesit Special të BE-së për Dialogun Beograd- Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor dhe presim përparim konkret nga të dyja palët në normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis tyre, i cili është kritik për stabilitetin dhe zhvillimin e të gjithë rajonit dhe për të siguruar që ata të mund të vazhdojnë në rrugët e tyre përkatëse evropiane”, thuhet në pikën 6 të kësaj deklarate.

Më tej në deklaratë thuhet se “BE-ja riafirmon mbështetjen e saj të qartë për Perspektivën Evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe mirëpret angazhimin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor në perspektivën evropiane, e cila është në interesin tonë strategjik reciprok dhe mbetet zgjedhja jonë e përbashkët strategjike”. /Insajderi.com