
Komisioni Evropian, institucion ekzekutiv i Bashkimit Evropian, i ka bërë thirrje Kosovës që të liberalizojë tregun e energjisë elektrike me pakicë.
Në këtë mënyrë konsumatorët vendorë do të kenë të drejtën e lirë për të zgjedhur furnizuesin e tyre, meqë aktualisht kompania turke KEDS e mbanë monopolin në sektor.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, tha për agjencinë e lajmeve dtt-net.com se Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) do të duhej që të zbatojë zotimet e Kosovës dhe të liberalizohet tregu plotësisht, pra, edhe për energjinë elektrike me pakicë.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero
“Prandaj vazhdojmë që të inkurajojmë Zyrën e Rregullatorit për Energji të Kosovës (ZRRE) që të zbatojë planin për liberalizimin e tregut me pakicë të energjisë elektrike në Kosovë, në përputhje me zotimet e Kosovës lidhur me Paketën e Tretë të Energjisë dhe kërkesat e tjera të Komunitetit të Energjisë”, ka deklaruar Pisonero.
Thirrje drejtuar Qeverisë së Kosovës për liberalizimin e tregut së fundi ka pasur edhe nga partitë opozitare, përderisa qeveria dhe ZRRE deri më tash nuk kanë dhënë ndonjë sqarim pse kjo nuk po bëhet.
Liberalizimi i plotë i tregut me pakicë të energjisë elektrike do t’i jepte fund monopolit të kompanisë KEDS/KESCO, në pronë të grupit nga Turqia, Çalik Holding, në shpërndarjen e energjisë elektrike me pakicë deri tek amvisëritë dhe bizneset në Kosovë./Insajderi.com