Bashkimi Evropian një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë ka shprehur besimin se presidenti i vendit do të zgjidhet shpejt si dhe do të formohet qeveria e re, njofton Insajderi.
Ata thonë se i qëndrojnë fuqishëm partneritetit me Kosovën, ndërsa shprehen të gatshëm që të angazhohen me anëtarët e zgjedhur të Kuvendit.
“Kemi besim se Presidenti do të zgjidhet shpejt nga Kuvendi i ri dhe do të formohet qeveria e re, me kohë, në mënyrë që të promovojë reforma dhe zhvillime të mëtejshme, ta luftojë korrupsionin, ta forcojë sundimin e ligjit dhe ta çojë përpara të ardhmen Evropiane të Kosova, përfshirë vazhdimin e Dialogut të lehtësuar nga BE në mes të Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet në komunikatën për media.
Shefi i Zyrës së BE-së/Përfaqësuesi Special i BE-së dhe Shefat e Misioneve të Shteteve Anëtare të BE-së në Kosovë kanë deklaruar se po i ndjekin me vëmendje të madhe përgatitjet për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen të dielën.
Ata kanë bërë thirrje ndaj të gjitha institucioneve përkatëse të Kosovës që të veprojnë në përputhje me standardet ndërkombëtare.
“Nënvizojmë rëndësinë e zgjedhjeve transparente, të besueshme dhe përfshirëse. U bëjmë thirrje të gjitha institucioneve përkatëse të Kosovës që të veprojnë në përputhje me standardet ndërkombëtare, të lirë nga presioni politik dhe t’i respektojnë vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të gjyqësorit. Inkurajojmë qytetarët e Kosovës që ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar duke i respektuar të gjitha masat kundër pandemisë COVID-19.
BE ka dërguar një Mision të Ekspertëve të Zgjedhjeve (EEM) në Kosovë që mbulon të gjithë procesin e përgatitjes së zgjedhjeve, votimit dhe numërimit, duke përfshirë fazën e ankimimit. EEM do ta përgatitë një raport për zgjedhjet duke përfshirë rekomandimet se si të përmirësohet dhe forcohet më tej procesi zgjedhor”, thuhet në komunikatë.
“Për më tepër, ne, diplomatët nga Zyra e BE/PSBE dhe përfaqësimet e Shteteve Anëtare të BE, së bashku me kolegët tjerë ndërkombëtarë, do ta ndjekim nga afër procesin zgjedhor në Ditën e Zgjedhjeve duke i vizituar qendrat e votimit. Ne gjithashtu e mirëpresim dhe përkrahim punën e organizatave të shoqërisë civile të Kosovës në vëzhgim të fushatës zgjedhore dhe procesit në Ditën e Zgjedhjeve.
Po ashtu, BE mirëpret diskutimin lidhur me zbatimin e rekomandimeve të raporteve të njëpasnjëshme të Misioneve të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të Bashkimit Evropian me autoritetet e Kosovës pas zgjedhjeve.
“Mirëpresim diskutimin lidhur me zbatimin e rekomandimeve të raporteve të njëpasnjëshme të Misioneve të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të Bashkimit Evropian me autoritetet e Kosovës pas zgjedhjeve. I ftojmë të gjitha partitë që t’i rroken punës pas zgjedhjeve në mënyrë që t’i zbatojnë ato rekomandime.”/Insajderi.com